Lajme


1-8 shtator, Korça do të bëhet destinacioni i artistëve

Postuar nga admin

27th August 2018

5 vite me “Koko Fest”. Korça do të jetë në festë përgjatë ditëve të festivalit nga data 1-8 shtator. Artistët më të mirë të të gjithë trevave shqiptare, jo vetëm të humorit, mblidhen në festivalin Mbarëkombëtar të Komedisë.

Teatri i Shkodrës, i Fierit, i Vlorës, i Durrësit, Gjirokastrës, Korçës pa dyshim dhe trupa të tjera që vijnë nga Kosova e Maqedonia, kanë qenë pjesë konkurruese e këtij festivali, vit pas viti. Këtë vit, do të shfaqen 8 premiera. Risitë e këtij edicioni të festivalit të komedisë, i zbulon Zamira Kita, drejtoreshë e Teatrit “Andon Zako Cajupi”, në Korçë.

Në natën e tretë të “Koko fest”, Teatri i Korçës do të sjellë një premierë të re që po punohet nga regjisori Guri Koço. Teatri “Petro Marko” në Vlorë, konkurron me veprën “Në dorë të fatit” me regji të Arben Kumbaros. Teatri i Durrësit përfaqësohet me regjisoren Driada Dervishi me “Komedia që shkon për dreq”, Teatri i Prishtinës, vjen me një vepër që mban firmës e regjisë së Ilir Bokshit. Në finalen e “Koko Fest”, Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” do të konkurrojë me “Darka e Lamtumirës” me regji të Kiço Londos.