Lajme


“Ditë pranvere”- Divjaka në festë, të rinjtë ekspozitë dhe koncert

Postuar nga admin

25th March 2019

Parku i Divjakës mirëpriti këtë fundjavë të rinjtë e të rejat e qytetit, në aktivitetin kulturor “Ditë pranvere”.

I organizuar nga bashkia e Divjakës dhe Qendra Kulturore Divjakë, në këtë aktivitet nxënësit shpalosën talentin e tyre në pikturë, këngë dhe valle.

Qytetarët e shumtë vendas, por turistë të ardhur për të kaluar një fundjavë të këndshme në parkun e Divjakës kaluan disa orë argëtimi duke shijuar interpretimet e nxënësve, si dhe duke admiruar pikturat e tyre me peizazhe nga natyra e bukur shqiptare, si dhe ekspozitën e mësuesit të nderuar tashmë pensionist Mark Gorreja, lojërat e ndryshme të shahut,volejbollit etj.

Zëri i këngëtarëve të ftuar Elsa Skëndaj dhe Xhustino Hasani të mbështetur nga djemtë e Qendrës së Kulturës ftuan për të kërcyer të gjithë pjesëmarrësit.

Parku Kombëtar i Divjakës është transformuar në një destinacion turistik gjithnjë e më i vizituar nga shqiptarë e të huaj. Gjatë fundjavës ky park mirëpret vizitorë të shumtë, të cilët shijojnë një fundjavë ndryshe mes qetësisë natyrore dhe bukurive të peizazhit.

Tashmë kjo zonë është shndërruar në një vendstrehim për të gjithë ata që duan të largohen nga kaosi i qyteteve të ndotur jo vetëm në konceptin e cilësisë së ajrit por dhe nga zhurmat që fillojnë që në orët e para të mëngjesit deri në orët e vona të mbrëmjes. Ky park me cicërimat e zogjve,me florën dhe faunën, me bukuritë që ofron si me me investimet e bëra duke filluar që me shërbimin e shëtitjes me varka, pasarelën e drurit si dhe kullën 360° ofron një terapi qetësuese, relaksuese, një terapi meditimi ku çdo njeri mund të gjejë vetveten dhe mund të relaksohet për të përballuar më pas një javë të lodhshme.