Lajme


“Kopraci”, shfaqja e fundit në Korçë, rikthehet në janar

Postuar nga admin

4th December 2018

Komedia “Kopraci” vepër e Molierit me regji nga Dhimitër Orgocka mbrëmë shënoi mbrëmjen e fundit për këtë vit në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” në qytetin e Korçës.

Këtë herë komedia e Molierit që solli në skenë me rolin e Harpagonit aktorin 92 vjeçar Koço Qëndro ishte një sukses.

Drejtoresha e teatrit Zamira Kita shprehet se për këtë komedi ka pasur mjaft interes nga publiku.

”Dita e fundit për 2018. Shihemi përsëri në janar! Deri atëherë do të keni mjaft aktivitete të bukura për të ndjekur! Faleminderit të gjithëve për interesin e madh! Jeni publiku më i mirë në botë!”, shprehet drejtoresha Zamira Kita për shfaqjen e fundit për këtë vit në skenë.

Në rolet e tjera në vepër përmendim dhe Blend Arifi, Ilda Pepa, Mateus Frroku, Zamira Kitën, Blera Belliu, Refik Xhinaku, Syrja Meçe, Lazarela Deti, Valentino Hamati dhe Antonio Tole. Muzika në vepër është nga Adrian Jorgji dhe kostumografia nga Bardhi Pojani.

Aktori Koço Qëndro në fillim të viteve 1960 zgjidhet si një ndër aktorët themelues që krijuan trupën e Estradës Profesioniste të Korçës. Që nga krijimi i saj e derisa doli në pension, në mbi 120 premiera realizoi një mori figurash me nivel të lartë artistik, duke luajtur në llojet e shkurtra të teatrit të varietesë, si skeçe, pantomime, dialogë, monologë, parodi e kuplete.

Harpagonin te komedia “Kopraci” e Molierit, regjisor Dhimitër Orgocka, e luajti dy herë, më 1976 dhe 29 vjet më vonë, më 2005, kur edhe fitoi çmimin si “Aktori më i mirë” në festivalin “Apollon” të Fierit. Në komedinë “Kopraci” Molieri demaskon me forcë të madhe fuqinë shkatërruese të parasë dhe godet koprracinë, që ishte tipar karakteristik i borgjezisë në zhvillim. Ai e dënon si një ves të ulët me pasoja shumë negative. Harpagoni koprac e fajdexhi jeton nën ethen e parave. Ai ka humbur dinjitetin e ndjenjat prindërore dhe dashurinë e fëmijëve. Këta të fundit, jo vetëm që s’e duan më, por edhe e urrejnë. Harpagoni mbetet një nga figurat më negativë, antipatikë e njëkohësisht qesharake që ka krijuar pena e Molierit.

Molieri mbetet një krijues i madh i ndërtimit të karaktereve. Një pjesë e mirë e tyre jo vetëm që i kanë qëndruar kohës, por janë shndërruar në emra simbolikë. Dhe kjo është një arritje e madhe e artit të Molierit.