Lajme


Korçë, nis edicioni i 5-të i Festivalit të Muzikës së Vjetër “Vox Baroque”

Postuar nga admin

26th June 2018

Edicioni i pestë i Festivalit të Muzikës së Vjetër “Vox Baroque”, solli për herë të parë në Shqipëri “Quartetto di Cremona”, një nga kuartetet më në zë në arenën ndërkombëtare.

Me një interpretim virtuoz “Quartetto di Cremona”, solli një performancë fantastike përmes instrumenteve origjinale Stradivari, tek “Hani i Pazarit”, në Pazarin e Vjetër të Korçës.

Edicioni i 5-të i Festivalit të Muzikës së Vjetër “Vox Baroque” ka nisur në datën 24 qershor në qytetin e Korçës dhe deri në datën 8 korrik do t’i kushtohet tërësisht repertorit barok.

Synimi i këtij festivali është të përhapë muzikën baroke të luajtur me instrumente origjinalë, në respekt të plotë të stilit, rregullave dhe mënyrës së interpretimit të asaj kohe.

I konceptuar të ndikojë njëherësh në zhvillimin rajonal, nëpërmjet edukimit muzikor, por edhe të kthehet në një nxitës të politikave drejt zhvillimit të turizmit kulturor, duke kthyer vëmendjen dhe interesin në disa nga monumentet e rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Në edicionin e parë, ky festival solli risi në zhanrin e muzikës, duke trajtuar muzikën e vjetër dhe stilin barok në disa nga qytetet kryesore të Shqipërisë, konsideruar si qendra të rëndësishme të trashëgimisë kulturore.