Lajme


“Mural Fest”, Tirana përjeton një shpërthim ngjyrash në hapësirat urbane

Postuar nga admin

4th July 2018

Fasadat e pajeta dhe ngjyrë gri të qytetit janë kthyer në vepra arti, duke e kthyer Tiranën në një nga destinacionet më të rëndësishme murale për turizmin në rajon. Artistë nga e gjithë Europa dhe jo vetëm, patën mundësinë të njihen me Tiranën dhe me punimet e tyre murale të lënë gjurmë në hapësirat urbane të qytetit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u njoh nga afër me punët e realizuara nga artistët në disa rrugë të ndryshme të kryeqytetit, çka i ka dhënë Tiranës një shpërthim ngjyrash.

Duke falenderuar artistët e ardhur nga 15 vende të ndryshme të botës, Veliaj e cilësoi fantastike këtë eksperiencë që i jep më shumë ngjyra qytetit. “Këta artistë fantastikë na kanë ndihmuar me artin e rrugës në Tiranë, kanë bërë grafiti, kanë dhënë mesazhe politike, disa herë radikale, disa herë provokuese.

Tirana ka pasur një traditë shumë të mirë nga vitet 2000- 2011, në kohën e Edi Ramës, ku ngjyrosja e pallateve, lyerja e tyre

me ngjyra, përcjell diçka ndryshe nga grija që kemi trashëguar, nga koha e Luftës së Ftohtë dhe gjithë trashëgimia sovjetike e komuniste, për t’i dhënë ngjyrë qytetit.

Ka qenë një eksperiencë fantastike, po e ringjallim atë përvojë”, tha Veliaj. Kryebashkiaku veçoi se kjo nismë do të kthehet në një traditë të re për kryeqytetin, që Tirana të ruajë reputacionin e qytetit të ngjyrave, si një kartolinë fantastike e hqipërisë evropiane.