Lajme


Përmbyllet me sukses Festivali Ndërkombëtar ‘Takimet Muzikore të Dy Botëve’

Postuar nga admin

11th October 2018

Sopranoja Blerta Zhegu me zërin e saj brilant ka përmbyllur me sukses natën e fundit të Festivalit Ndërkombëtar ‘Takimet Muzikore të Dy Botëve’.

Koncerti u mbajt në Pallatin e Brigadave, në një mbrëmje gala me të ftuar special nga fusha e politikës, artit, kulturës dhe medias, me në krye Presidentin e Shqipërisë Ilir Meta.

Sopranoja Blerta Zhegu e shoqëruar nga orkestra e harqeve e Klubit të Artit dhe të Kulturës së Sigal Uniqa Group Austria performuan përpara të pranishmëve një repertor të përzgjedhur muzikor me kompozitorë romantik europianë dhe me traditën shqiptare.

Koncerti u hap me një fjalim përshëndetës për të pranishmit nga Drejtoresha e Shoqatës Argjiro Ilda Mara e cili theksoi se ky festival në këtë edicion të 12-të organizohet nën ombrellën e Vitit Europian të Trashëgimisë Kulturore dhe synon që të inkurajojë dhe promovojë trashëgiminë kulturore europiane, të ndërgjegjësojë për vlerat dhe historinë shqiptare dhe atë europiane, dhe të forcojë ndjenjën e përkatësisë së një hapësire të vetme evropiane.

”Tashmë u bënë dymbëdhjetë vjet që ARGJIRO-ja organizon Festivalin Ndërkombëtar “Takimet Muzikore të Dy Botëve”. Festivali ynë është një projekt unik në Shqipëri sepse synon të ndërthurë dy botë në një, të gërshetojë traditën dhe identitetin me klasiken”,shtoi Ilda Mara.

Këtë event e përshëndeti dhe vet ambasadori Luigi Soreca, përfaqësuesi i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, i cili në fjalën e tij përshëndetëse përpara të pranishmëve thekosi se ky festival në 12 vite ka bërë një punë fantastike për të nxjerrë në pah bukuritë e vendit dhe pasuritë muzikore

”Ai ka mbledhur njerëz në vende unike si Kalaja e Gjirokastrës, shtëpitë unike të Shkodrës, apo dhe këtu në Pallatin e Brigadave. Më vjen mirë dhe jam i lumtur që ky aktivitet bëhet edhe në vitin mbarëkombëtar të trashëgimisë kulturore”,theksoi Soreca.

Edicioni i 12-të i Festivalit ‘Takimet Muzikore të Dy Botëve ka udhëtuar këtë muaj në katër qytete të vendit tonë, duke filluar me Kalanë e Gjirokastrës, Qëndrën Rinore Arka në Shkodër, Teatrin Petro Marko në Vlorë, Kishën Ortodokse ‘Ngjalja e Krishtit’ në Tiranë dhe së fundimi në Pallatin e Brigadave duke sjellë për publikun shqipar artistët më të mirë të muzikës klasike dhe asaj tradicionale, polifonike të huaj dhe shqiptare.