Lajme


Shkodër, themelohet muzeu i kulturës Françeskane

Postuar nga admin

12th April 2019

Themelohet muzeu “Lin Delija” në Shkodër ku është prezantuar projekti i Muzeut të Kulturës Françeskane.

Veprat e piktorit të njohur i janë dhuruar këtij Muzeu, që do të shërbejnë për të kujtuar e promovuar veprën e jetën e tij. Historia e pranisë dhe veprimtarisë françeskane në Shqipëri ka një shtrirje 800-vjeçare dhe përbën një nga formatet e rëndësishme sa të besimit katolik ndër shqiptarë aq edhe të historisë politike e shoqërore të vendit.

Duke paraqitur muzeun, organizatorët thanë se se falë rolit unik në bashkë themelimin e kulturës kombëtare, kontributi i françeskanëve konsiderohet gjithnjë e më tepër si një dukuri kulturore më vete, me autorë e vepra që qëndrojnë në themelet e letërsisë kombëtare, të dijes albanologjike, të publicistikës, mendimit shqiptar, memuaristikës, muzikës orkestrale, pikturës sakrale etj.

Hapësirat e këtij muzeu do të jenë vendtakimi i brezave të sotëm e të ardhshëm me poetë, dramaturgë e përkthyes si Leonardo de Martino, Gjergj Fishta, Vinçenc Prennushi; me prozatorë brilantë si Fishta e Anton Harapi; me etnografë e antropologë të kulturës si Shtjefën Gjeçovi, Bernardin Palaj, Donat Kurti; me historianë si Marin Sirdani; gjuhëtarë e stilistë si Benedikt Dema e Justin Rrota, filozofë si Gjon Shllaku, muzikantë mjeshtërorë si Martin Gjoka dhe me personalitetin e rrallë të françeskanit të paharrueshëm At Zef Pllumit, vepra memuaristike e të cilit vijon t’i kërkojë shoqërisë shqiptare përballjen etike me të shkuarën e saj komuniste.

Muzeu do jetë ndër të tjera dëshmia reale e humbjes së rëndë që pësoi kultura e dija kombëtare prej asgjësimit të veprave dhe të autorëve të tyre. Por mbi të gjitha, do të jetë pohimi krenar i një plejade të ndritshme në qiellin e kulturës kombëtare.