Lajme


Shpallen fituesit e krijimtarisë letrare për fëmijë

Postuar nga admin

31st July 2019

Gara në Ministrinë e Kulturës për Fondin e Letërsisë për Fëmijë ka përfunduar. Janë shpallur  pesë fituesit për krijimtarinë letrare për fëmijë nga rreth 27 autorë të cilët kishin paraqitur dorëshkrimet e veprave të tyre, në poezi, rrëfenja dhe romane për fëmijë.

Pesë fituesit për krijimtarinë letrare për fëmijë janë Gaqo Bushaka, Viktor Canosinaj, Rudina Çupi, Hysen Kobellari dhe Luan Rama.

“Dashuria për leximin ngjizet në vitet e para të jetës dhe një libër i mirë mund ta bëjë këtë.
Më 1 Qershor, vendosëm të hapnim për herë të parë Fondin për Krijimtarinë Letrare për Fëmijë dhe sot isha e nderuar, që së bashku me jurinë prestigjioze, të shpallja 5 fituesit: Gaqo Bushaka, Viktor Canosinaj, Rudina Çupi, Hysen Kobellari dhe Luan Rama. Vetëm hapi i parë i një eksperience që do të vijojë”, shprehet ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Aplikimet për fondin për mbështetjen e krijimtarisë letrare për fëmijë janë hapur që prej datës 1 qershor. Ministria e Kulturës me anë të këtij fondi rikthen vëmendjen tek autorët që shkruajnë letërsi për fëmijë, një zhanër ky për të cilin shkrimtarët, por edhe vetë botuesit gjatë viteve të fundit kanë ngritur alarmin, se i mungon letërsisë sonë.