Lajme


“Tingujt e jetës midis tokës dhe detit”,muzikë klasike në peizazhin e Zvërnecit!

Postuar nga admin

30th July 2018

“Tingujt e jetës midis tokës dhe detit”, ishte koncerti me interpretimin e krijimeve të kompozitorit vlonjat Aulon Naçi, që u zhvillua në mjediset e ishullit të Zvërnecit, organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, Bashkia e këtij qyteti, Ministria e Kulturës, si edhe me kontribute të tjera lokale e më gjerë.

Ky koncert, që bazohej në krijimtarinë më të fundit për orkestër e solistë të kompozitorit Aulon Naçi, shënoi një risi për vendin dhe mënyrën e organizimit, si edhe për protagonistët e interpretimit, që vinin nga zona e shtete të ndryshme. Ai u zhvillua në hapësirën mes Manastirit “Fjetja e Hyjlindëses” dhe Kishës së Shën Marisë në ishullin e Zvërnecit, në një peizazh natyror që bëhej edhe më i këndshëm në orët e mbrëmjes, mes gjelbërimit të pyllit me pisha.

Në këtë këndvështrim, organizatorët, synuan të gërshetonin bukurinë natyrore, me atë të muzikës, të alternuara këto me një publik artdashës që mbushi si asnjëherë këtë hapësirë të privuar deri pak kohë më parë për qytetarët, për shkak të mungesës së infrastrukturës lidhëse mes bregut dhe ishullit.

Koncerti, që u ndoq edhe nga Kryeministri, Edi Rama dhe Zonja e Tij, përcolli tingujt e një krijimtarie tepër profesionale të kompozitorit vlonjat, Aulon Naçi, të vlerësuar edhe nga specialistë dhe ekspertë të njohur, mjaft prej të cilëve ishin të pranishëm dhe ndoqën “live” këtë event, nën interpretimin e një orkestre që drejtohej nga Ricardo Casero nga Spanja.

Në program përfshiheshin “Luledielli”, Koncert për piano, fizarmonikë dhe orkestër harqesh, “Himn për detin”, zë dhe orkestër harqesh, “Zëri i heshtjes së humbur”, për piano dhe orkestër harqesh, “Poseidon”, violinë solo, “Lutje e nënës”, për piano, zë dhe orkestër harqesh, “Mare Meum”, për piano, “Qetësi dhe Stuhi”, klarinetë dhe orkestër harqesh, “Milingona, për orkestër harqesh, piano, fisarmonikë dhe perkusion, “Foreign touch”, për piano dhe orkestër harqesh, “Lot shiu”, për piano orkestër harqesh, cylë dyjare dhe fyell.

Të pranishmit duartrokitën gjatë interpretimin e klarinetisttit Igli Tuga, në koncert për klarinetë, piano dhe orkestër harqesh, si dhe virtuozitetin e vlerësuar në shumë skena të botës të artistit të njohur popullor, Vendim Kapaj,”Mjeshtër i Madh”, i cili në instrumentin e tij, cylë dyjare dhe fyell, ka krijuar një profil të lartë interpretativ.

Ndërkohë, këtij koncerti ju bashkuan edhe soprano e njohur, Nina Muho, si edhe solistët në violinë, Dejon Bendaj, fizarmonikë, Elton Balla, perkusion Mirian Sulovari, piano, Enrico Tricario, nën dirigjimin e Racardo Caseros. Krahas kësaj, ishte orkestra e përbërë nga Gëzim Bulçari, Nikola Kondakçi, Anduena Sula, Migena Kreci, Enea Fetahu, Vilson Guri, Mimoza Hoti, Flobens Zyma, Alkena Ruzi, Adi Prosi, Gëzim Hysi, Eno Nushi e Saimir Katroshi, me orkestrues Jusiald Xhani e kurator Neritan Mehmetaj, që plotësuan tablonë e këtij eventi të pazakontë.