Lajme


Viti i ri artistik nis në teatrot e kryeqytetit me disa komedi

Postuar nga admin

7th January 2019

Viti artistik nis në skenat e teatrove me komedi të autorëve të huaj. Në Teatrin Kombëtar, Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli” dhe Teatrin Metropol në ditët e janarit do të vijnë në skena tre shfaqje komedi për publikun.

Janë vepra që kanë angazhuar në role aktorë të njohur të jetës artistike në vend, por dhe emra të rinj, e bashkë me ta dhe skenografë e kostumografë të ndryshëm për realizimin e shfaqjeve.

Teatri Kombëtar me datë 10, 11,12, dhe 13 janar sjell në skenë te “arTurbina” komedinë “Këmbëzbathur në park” vepër e autorit Neil Simon me regji nga Lorin Terezi. Në role vijnë aktorët Ledjon Zoi, Anila Balla, Marsel Greva, Ermira Gjata dhe Ardian Cerga.

Komedia fantastike “Boeing Boeing” rikthehet me vrullin e saj në datat 9,10,11,12 dhe 13 janar ora 19:00 në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Bazuar në një farsë klasike të shkruar nga dramaturgu francez, Marc Camoletti, në vitin 1960, kjo vepër arriti të rrëmbej dy çmime, Tony Award në 2008 dhe Broadway Revival Edicion, po atë vit.

Vepra vjen në skenë me regji nga Kiço Londo dhe në role janë aktorët Amos Zaharia, Rudina Dembacaj, Gentian Zenelaj, Alessia Xhemalaj, Adriana Tolka dhe Linda Jarani.

Ngjarjet ndodhin në Paris në ditët e sotme. Një komedi e bujshme, në venat e së cilës rrjedh gjak si ai i komedive të Shekspirit me incidente të hareshme dhe ngatërrim identitetesh, “Boeing Boeing” paraqet aventurat dashurore të beqarit francez Bernard me stjuardesat e tij bukuroshe.

Teatri Metropol nis vitin artistik me komedinë “Sherlok Holms dhe Langoi i Baskervillëve” nga Ken Ludvig. Me regji nga Shkëlzen Berisha, kjo komedi bashkon dy zhanre letrare popullore: përrallën gotike dhe trillin e letërsisë detektive, si një formë për të krijuar suspancë dhe për të mbajtur gjallë kureshtjen e publikut. Jemi në Londrën e viteve 1890, me historinë e njohur të një detektivi imagjinar, me një aftësi të mrekullueshme për observim, i ftohtë, logjik, i rezervuar por edhe i gatshëm për veprim.

Rozi Kostani interpreton në rolin e Doktorit Uatson, ndërsa Gentian Hazizaj në rolin e Sherlok Holmsit ndërkohë aktorët e tjerë Herjon Mustafaraj, Mirela Naska, Amri Hasanbelli, Ermir Hoxhaj, Klodjana Keco do të sjellin rreth dyzet karaktere mes situatash plot humor. Regjisori Berisha ka punuar për një spektakël dinamik, plot ngjyra dhe gjallëri, plot energji që shpërthen nga ironia e situatave, në të cilat pritshmëria dhe realiteti janë në kundërshtim me njëri-tjetrin.

Ritmi, ngjyrimi dialektor, puna me gjuhën dhe theksat, harmonia mes fjalës dhe gjestit tek individi dhe pastaj mes ansamblit kanë qenë sfidat e këtij procesi mjaft të pëlqyeshëm. Romani përdor temat dhe simbolet tipike gotike: një mallkim familjar dhe një legjendë për një qen paranormal dhe djallëzor, një hero i bllokuar në një vend të çuditshëm, shkelja e tabuve morale, shqopishtet e zymta që mbajnë sekrete të këqija, hijet e errëta, dhe peizazhe të tmerrshme, të mbuluara nga mjegulla.