← Lajme
Sport

Ligat Europiane kërkojnë reforma në FIFA

Sasha Ndreka via clubfm.al

Katër nga ligat më të mëdha të Europës kërkojnë ndryshime në mënyrën se si drejtohet FIFA.

Premier League, Bundesliga, La Liga dhe Serie A kanë firmosur një deklaratë të përbashkët, ku kërkojnë më shumë transparencë dhe kontroll në drejtimin e futbollit botëror.

Sipas tyre, shumë vendime të rëndësishme merren pa përfshirjen e mjaftueshme të ligave, klubeve dhe futbollistëve.

Për këtë çështje, në tetor të vitit 2024, ato iu drejtuan edhe Komisionit Europian.

Katër ligat kërkojnë krijimin e një organi të përhershëm ku të përfaqësohen federatat, ligat, klubet dhe futbollistët, si në futbollin e meshkujve, ashtu edhe në atë të femrave.

Kërkesat e tyre janë per më shumë përfshirje në vendimmarrje, analiza të pavarura përpara vendimeve të rëndësishme dhe një ndarje më të qartë mes rolit rregullator dhe atij tregtar të FIFA-s.

Ligat kërkojnë gjithashtu më shumë pavarësi për organet që kontrollojnë etikën dhe financat.

Mesazhi për drejtuesit e ardhshëm të FIFA-s është i qartë, brenda 100 ditëve të para të mandatit të ri të nisë një proces për reformimin e mënyrës se si drejtohet organizata.

Synimi është një FIFA më transparente dhe me më shumë përfshirje të aktorëve të futbollit.

Live

Radio Shqip