Skandali financiar trazon Turqinë, nënkryetarja e AKP-së jep dorëheqjen pas akuzave për transaksione me aksione
Një skandal financiar që ka përfshirë një prej drejtuesve të partisë në pushtet në Turqi ka shkaktuar debat të fortë publik, ndërsa autoritetet po hetojnë një krizë në tregun e fondeve dhe transaksione të dyshuara në tregun e aksioneve. Fatma Betül Sayan Kaya, nënkryetare e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) dhe ish-ministre e Familjes dhe Politikave Sociale, njoftoi dorëheqjen nga të gjitha detyrat e saj partiake. Ajo i kërkoi presidentit dhe kreut të AKP-së, Recep Tayyip Erdoğan, ta lironte nga funksionet në mënyrë që pretendimet ndaj saj të hetoheshin pa ndërhyrje nga pozicioni që mbante. Dorëheqja u pranua nga drejtuesit e partisë.
Kaya nuk i ka pranuar apo kundërshtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë këto akuza. Në deklaratën e saj, ajo tha se po merrte përgjegjësi politike dhe morale dhe se kërkonte që pretendimet të sqarohej plotësisht përmes një hetimi të pavarur. Dorëheqja e saj vjen në një kohë kur autoritetet turke kanë zgjeruar hetimin mbi transaksionet në tregjet financiare. Prokuroria e Stambollit ka nisur procedura ndaj 76 personave, në kuadër të hetimit që lidhet me shtatë fonde investimi. Sipas Associated Press, hetimi është pjesë e krizës së fondeve që shkaktoi një rënie të fortë të aksioneve turke më 16 shtator, mes dyshimeve për manipulim të çmimeve.
