← Lajme
Sport

Vllaznia lë pas “stuhinë”, fokusi te Dinamo

Sasha Ndreka via clubfm.al

Pas stuhisë, duket se në Shkodër ka ardhur qetësia. Kriza financiare dhe bojkoti i stërvitjes kanë trazuar ambientin kuqeblu, por sot situata duket disi më e qetë.

Pas tensioneve të ditëve të fundit, skuadra ka zbritur në fushë për të zhvilluar seancën e radhës stërvitore me trajnerin e ri hungarez Caba Laslo.

Pakënaqësia solli bojkotin e stërvitjeve dhe vuri në pikëpyetje përgatitjet e ekipit në një moment delikat të sezonit.

Problemet financiare nuk janë i vetmi shqetësim për kuqeblutë. Edhe rezultatet në kampionat janë larg pritshmërive, me Vllazninë që ka grumbulluar vetëm dy pikë në pesë javët e para, duke u pozicionuar në fundin e tabelës.

Ndërkohë, vështirësitë financiare mësohet se prekin edhe Akademinë, ku trajnerët kanë detyrime të prapambetura nga sezoni i kaluar.

Tashmë, pas stuhisë së ditëve të fundit, vëmendja zhvendoset te fusha e lojës. Vllaznia duhet të lërë pas tensionet dhe të përqendrohet te sfida me Dinamon, e programuar më 11 tetor në stadiumin “Loro Boriçi”.

Një përballje e rëndësishme për pikët, por edhe për të rikthyer qetësinë dhe besimin në kampin kuqeblu.

Live

Radio Shqip