Zhytja spektakolare në Antalya, kampionia turke noton pranë breshkës së detit: Të mbrojmë natyrën
Zhytësja turke Sahika Ercumen, mbajtëse e rekordit botëror në zhytje të lirë, ka zhvilluar një zhytje të veçantë në ujërat e Demres, në Antalya, duke u shoqëruar nga një breshkë deti.
Ercumen, e cila është edhe ambasadore për nismën “Zero Mbetje” dhe avokate e UNDP Turqi për “Jetën nën Ujë”, u zhyt në zonën Çayagzi, ku pati mundësinë të qëndronte pranë breshkave të detit.
Ercumen u ndal edhe te marrëdhënia mes njerëzve dhe breshkave të detit, duke theksuar se ato nuk kanë prirje të sulmojnë njerëzit. Sipas saj, afrimi i tyre mund të lidhet me faktin se në disa raste ushqehen nga njerëzit.
“Prandaj, nuk duhet të ndërhyjmë në asnjë mënyrë. Gjithashtu, nuk duhet t’i ushqejmë”, tha ajo.
Gjatë zhytjes, Ercumen u shoqërua nga një breshkë e gjelbër deti e quajtur “Mahmut”. Breshka është hasur rregullisht prej rreth pesë vitesh nga zhytësi Sercan Demirkaya.
Për Ercumen, rikthimi pranë së njëjtës breshkë ishte një moment i veçantë. Ajo theksoi se respektimi i hapësirës së gjallesave detare krijon mundësi për një bashkëjetesë harmonike mes njerëzve dhe natyrës.
“Kjo botë është e të gjithëve. Të mbrojmë shtëpinë e përbashkët”, ishte mesazhi i saj.
