Lajme


Biblioteka publike, ndër më të pasurat e vendit

Postuar nga admin

30th October 2019

Biblioteka publike “Qemal Baholli” është institucioni bibliotekar kryesor i komunitetit dhe një qendër e rëndësishme studimore e kërkimit shkencor.

Kjo bibliotekë është një vepër bamirësie e Nazif Bahollit ish-pronar i njohur i qytetit të Elbasanit në vitin 1930. Një nga djemtë e tij Qemali ish-nxënës në liceun e Korçës, humbi jetën në moshë të re. Në përkujtim të të birit, Nazifi si patriot me ide përparimtare, pati idenë të ngrinte në Elbasan një vepër kulturore, bibliotekë publike, duke e pagëzuar me emrin e të birit Qemal Baholli.

Asokohe Nazifi bleu nga bashkia një truall ku më pas do të ngrihej godina, me një shumë prej 800 napolona ari. Lejen nga Ministria e Arsimit e dha vetë ministri i asokohe Mirash Ivanaj, duke e çmuar e falënderuar gjestin fisnik të dy djemve të tjerë të Nazifit të cilët pas vdekjes së të atit vijuan veprën e lënë përgjysmë. Mbas një periudhe rreth 2-vjeçare ndërtesa me një mjedis të jashtëm të gjelbëruar ishte gati.

Festa e përurimit u organizua në vitin 1953 dhe Biblioteka “Qemal Baholli” ju dorëzua bashkisë duke u bërë një institucion publik në shërbim të zhvillimit kulturor të Elbasanit.

Aktualisht kjo bibliotekë së bashku me muzetë e qytetit është një trashëgimi kulturore e qytetit të Elbasanit. Vëllezërit Baholli vunë në dispozicion edhe 2000 franga ari për blerje librash. Libra dhuruan edhe intelektualë të ndryshëm të qytetit, ambasada të huaja në vendin tonë, dhe veçanërisht Oborri Mbretëror. Në fondet e saj fillimisht u futën 1000 vëllime.

Krahas pasurimit me libra, biblioteka rriste çdo ditë shërbimin ndaj lexuesve të qytetit dhe numrin e aktiviteteve të saj. Me ambiente e kushte të përshtatshme, lexuesit kërkuan më shumë kohëzgjatje në bibliotekë për lexim. Më pas në këtë bibliotekë u vendosën edhe objekte muzeale në një sallë të veçantë të fondit dhe mbas vitit 1936, si institucion u emërua “Biblioteka dhe Muzeu Qemal Baholli”

Biblioteka shquhet jo vetëm për veprat e rralla por edhe për koleksionet e fondit të periodikut të periudhës para luftës II Botërore, ajo numëron rreth 200 000 libra e koleksione periodiku, në gjuhën shqipe e të huaj.

Në fillim të shekullit XXI Biblioteka mban ende emrin “Qemal Baholli”. Radhitet ndër bibliotekat më të pasura të vendit për nga pasuria që zotëron, e kthyer tashmë edhe me sistem dixhitalizimi.