Lajme


Teatër lëvizës në 10 qytete të Shqipërisë

Postuar nga admin

9th July 2018

Ju ka marrë malli për kukullat, por keni nisur pushimet? Këtë verë janë kukullat që do të vijnë pranë jush, aty ku po pushoni.

Kësulëkuqja është vetëm një nga personazhet e shumtë që do të udhëtojë në 10 qytete të Shqipërisë për të argëtuar jo vetëm fëmijët, por edhe prindërit.

Kalendari turistik i aktiviteteve verore të Teatrit të Kukullave nisi në Ksamil me shfaqjen “Çufo dhe Tipi, një aventurë me verdhushka”, ku u bashkuan fëmijë dhe të rritur në skenat e hapura, ku artistë dhe spektatorë ishin pjesëmarrës të aventurave të Çufos dhe Tipit, orëve me muzikë, teatër, kërcim.

Turi lëvizës i Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe personazhet e Teatrit të Kukullave gjatë gjithë muajit korrik do të jetë pranë jush, ne bregdet dhe vendet ku ju do të pushoni. 

Shfaqjet e kukullave do të mbahen jo vetëm në sheshet e qyteteve bregdetare në Sarandë, Ksamil, Vlorë, Durrës, por edhe në Përmet, Korçë e Gjirokastër, për të kënaqur të gjithë fëmijët gjatë gjithë muajit korrik.