Lajme


31 vjetori i Lëvizjes Studentore

Postuar nga admin

8th December 2021

Sot me 8 Dhjetor mbushen 31 vite nga fillimi i Lëvizjes Studentore që solli rrëzimin e regjimit komunist. Natën e 8 Dhjetorit 1990, rreth 300 studentë organizuan në “Qytetin Studenti” një protestë të fuqishme kundër regjimit diktatorial.

Fillimisht protesta nisi me kërkesën për t’i hequr universitetit të Tiranës emrin e diktatorit Enver Hoxha, por më pas studentët me sloganin “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, kërkuan garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike.

Ata kërkonin një shtet të së drejtës të bazuar mbi sistemin e vlerave perëndimore. Lëvizja Studentore u bë iniciatore e kthesës së madhe historike të vendit, duke u ngritur në protesta që sollën rënien e sistemit komunist dhe ardhjen e demokracisë.

Studentëve iu bashkuan edhe mijëra qytetare të Tiranës dhe protestat do të vazhdonin edhe për dy ditët në vijim deri në datën 11 Dhjetor në mbrëmje kur në takim me kreun e regjimit komunist Ramiz Alia  u konfirmua edhe pluralizmi politik, që solli edhe themelimin e Partisë Demokratike dhe më pas rrëzimin e diktaturës.