Uncategorized
11 tetori Dita Ndërkombëtare e Vajzave
Postuar nga admin
11th October 2021
Organizata e Kombeve të Bashkuara e ka përcaktuar 11 tetorin si Ditën Ndërkombëtare të Vajzave. Kjo datë është vendosur për herë të parë në vitin 2012 dhe synon të promovojë trajtimin e barabartë dhe mundësitë për vajzat në mbarë botën në fusha të tilla si ligji, të ushqyerit, kujdesi shëndetësor, arsimimi, trajnimi, si dhe lirinë nga dhuna dhe abuzimi.
Sipas fakteve botërore të mbledhura për këtë ditë përreth globit, vajzat janë tri herë më shumë të kequshqyera se djemtë. Çdo vit rreth dy milionë vajza të moshës 5 deri në 15 vjeç janë të trafikuara, të shitura ose të detyruara të punojnë në tregtinë e seksit.
Po ashtu, vajzat vazhdojnë të përballen me pengesa të shumta si në arsim, ashtu edhe në shërbime të tjera bazë.
Në aspektin shëndetësor, të dhënat botërore tregojnë se një foshnjë vajzë ushqehet me gji nga nëna deri në tetë javë më pak se një foshnjë djalë. Nga ushqyerja me gji mund të parandalohen rreth një milion vdekje të fëmijëve në vit.
Në aspektin social, vihet re se në botë 1 në çdo 3 vajza është e martuar para moshës 18 vjeç. Rreth gjysma e të gjitha vajzave në vendet në zhvillim bëhen nëna para se ato të jenë 18 vjeç. Ndërkohë, rreth 50.000 vajza të moshës 15-19 vjeçare vdesin çdo vit gjatë lindjes së fëmijës së tyre.
Të dhënat mbi arsimin tregojnë se në mbarë botën rreth 36 milionë vajza në moshë për të nisur shkollën fillore nuk janë të regjistruara në shkollë. Ndërkohë, mendohet se arsimimi më i mirë i vajzave dhe grave mund të reduktojë me 16 për qind urinë e njerëzve në botë. Në këtë ditë të veçantë pranohet botërisht se dhënia e mundësive të barabarta për vajzat është një e mirë për të gjithë shoqërinë. Përmirësimi i jetës së tyre ka një efekt të dukshëm, ndaj çfarë është e mirë për to është dhe për të gjithë njerëzimin.