Showbizz


Alban Skënderaj i këndon një ‘One-night stand’?!!

Postuar nga admin

11th January 2021

E keni menduar që Alban Skënderaj do t’i këndonte ndonjëherë një eksperience “One-night stand”, e cila në kuptimin e parë (dhe zakonisht të vetëm) i referohet një përvoje seksuale, vetëm për një natë, pa angazhim emocional mes palëve?

Sigurisht që nuk e keni menduar, sepse në kokën tuaj janë tekste si “Se ti je motiv i jetës sime”, “Ata syyy janë në çdo vend, në çdo hap/ në çdo hapësirë e në çdo kënd”, “Mirë se vjen në shpirtin tim/në një rrugë që s’ka mbarim”, “Nëse thua po, unë do jetoj vetëm për ty”, “24 orë mbi refren trupin mbi refren”, “Unë dhe ti, që ndamë dhe të fundit kafshatë”, “Duamë ti vetëm deri sa/lulet të mos çelin në pranverë” e të tjera, e të tjera.

Por siç kanë thënë njerëz më të zgjuar se ne, ndonjëherë nuk ka rëndësi se çfarë thua, por si.

Kënga e fundit e Albanit titullohet “Jolie” dhe flet për një vajzë franceze me origjinë afrikane, të cilën ai, pra personazhi djalë në këngë, e njohu në Champs-Élysées, Paris. Ata kaluan natën më të bukur që ai mban mend, por ditën tjetër u zgjua pa Jolie-n dhe me vetëm një trëndafil dhe një pusullë ku shkruhej emri i saj.

Siç nuk supozohet të ndodhë në një “one-night stand”, ai përfshihet (patjetër) emocionalisht dhe endet nëpër Paris duke e kërkuar, edhe pse e di që është çmenduri. Për këdo që është kurioz: Jo, nuk e gjen Jolie-n. Por ndoshta takohen në një pjesë të dytë, ku i dihet.