Showbizz


Arritja e jashtëzakonshme e filmit shqiptar në Sundance Film Festival

Postuar nga admin

3rd February 2021

Ceremonia e ndarjes së çmimeve në Sundance Film Festival u shoqërua me disa arritje si kurrë më parë, ku dy filma shënuan sukses të jashtëzakonshëm, “CODA” dhe “Hive”, ky i fundit me regjisore Blerta Bashollin.

“Hive” (Zgjoi) u bë filmi i parë që fiton tre çmimet më të rëndësishme në kategorinë World Cinema Dramatic, që vlerëson arritjet në kinema anembanë botës. Filmi, që tregon historinë e një gruaje të ve nga Kosova e cila frymëzon gratë e fshatit pasi burrat e tyre janë vrarë ose janë zhdukur gjatë Luftës së Kosovës, fitoi Çmimin e Jurisë, Çmimin e Regjisorit më të Mirë dhe Çmimin e Publikut.

“Në fakt, historia ka të bëjë me pasojat e luftës, por historia zhvillohet pas luftës, diku rreth viteve 2005-2006. Mesazhi i përcjellë është mjaft i fuqishëm në këtë rast, pasi kemi këtë grua të suksesshme, burri i së cilës është në mesin e shumë burrave të zhdukur nga lufta në Kosovë dhe tani ajo duhet të punojë dhe të mbijetojë për të mbajtur fëmijët e saj. Kjo rrugë i hedh shumë sfida të cilat vijnë kryesisht nga shoqëria ku ajo është pjesë. Mesazhi i përcjellë ka të bëjë me fuqizimin e një gruaje, e cila jeton dhe është e rrethuar nga një mjedis jo aq miqësor.” – u shpreh Basholli në një intervistë për Euronews.al në dhjetor të vitit të kaluar, fill pas nominimit në Sundance Film Festival.

Në intervistë, regjisorja tha se shpreson që historia e kësaj gruaje të interpretohet në formën që “gratë në Kosovë kanë treguar gjithmonë forcë”, në të dy kohët e luftës dhe periudhën e pasluftës, “por fatkeqësisht nuk përmenden dhe nuk mbështeten”. “Kemi punuar shumë dhe gjatë që ta sjellim këtë film para jush dhe jemi shumë të nderuar që na shpërblyet. Duam t’ia dedikojmë këtë çmim vendit tonë të dashur dhe të bukur Kosovës,” u shpreh producenti Ylli Uka.
Si kurrë më parë: Arritja e jashtëzakonshme e filmit
Fahrije Hoti

“Hive” është bazuar te historia e vërtetë e Fahrije Hotit (interpretuar nga Yllka Gashi) e cila teksa kërkonte burrin e humbur në luftë, filloi një biznes bujqësor në një mjedis tradicionalisht patriarkal, ku dëshira për pavarësi zor se pranohej. “Unë isha e hipnotizuar nga pozitiviteti dhe energjia e saj,” është shprehur regjisorja Basholli në një intervistë për BIRN. “Ajo ia doli, pavarësisht të gjitha pengesave me të cilat përballej gjatë rrugës”.

E diplomuar për Regji Filmi në Akademinë e Arteve në Prishtinë dhe e specializuar në New York University, Blerta ka realizuar më parë disa projekte, si dokumentarin “Mirror Mirror” apo filmin me metrazh të shkurtër “Lena dhe Unë”, megjithatë suksesi më i madh i saj, për nga vetë rëndësia e Sundance Film Festival, është padyshim “Hive”.

Sundance Film Festival, themeluar nga John Earle, Sterling Van Wagenen, Robert Redford, është festivali më i madh i filmit të pavarur në Shtetet e Bashkuara. Shumë kineastë të njohur e nisën karrierën e tyre pikërisht në Sundance, si Kevin Smith, Robert Rodriguez, Quentin Tarantino, Todd Field, David O. Russell, Steve James etj. Festivali gjithashtu ka shërbyer për të sjellë në vëmendje filma të njohur, një pjesë e të cilëve kanë vazhduar me sukses garën për në Oscars, si “Moonstruck”, “Precious”, “Whiplash”, “Get out” etj. Në vitin 2016, “Manchester by the Sea” u vlerësua dhe mbështet shumë në Sundance Film Festival dhe më pas mori gjashtë nominime për Oscars, përfshirë edhe “Best Picture”. Një vit më vonë, 40 filma u blenë nga distributorët duke përfshirë Amazon, Netflix, Lionsgate dhe Universal.
Thënë këto, suksesi i “Hive” duket se sapo ka nisur dhe puna e regjisores, producentëve dhe gjithë kastit të filmit, përfshirë aktorët e talentuar si Yllka Gashi, Çun Lajçi, Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi etj. do të vazhdojë të vlerësohet në të tjera festivale ndërkombëtare, pse jo edhe në Oscars.