Lajme


Arti shqiptar në zi! Shuhet poeti i njohur Bardhyl Londo

Postuar nga admin

18th February 2022

Poeti dhe shkrimtari i njohur Bardhyl Londo është ndarë nga jeta mëngjesin e kësaj të premteje. Ai ka mbyllur sytë përgjithmonë në moshën 74 vjeçare, pasi prej kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë betejën me të cilën fatkeqësisht nuk e ka fituar dot.

Miq dhe kolegë të Bardhyl Londos kanë reaguar ditë më parë kur ai u shtrua në spital. Një javë më parë shkrimtari Andon Andoni,  përmes një postimi në rrjetet sociale ka bërë me dije se miku i tij ishte duke kaluar luftuar për jetën.

“Miku im i mirë, poeti i angazhuar, liriku i thekur plot ëmbëlsi, autori i dhjetra librave me poezi, që solli ujin dhe mushtin e vendlindjes Përmetit në Tiranë dhe më gjerë, Bardh Londo është duke luftuar në këto ditë të vështira me vdekjen. Lutem për ty Bardh”, shkroi Andoni.

Edhe pedagogu dhe deputeti Agron Gjekmarkaj i kushtoi disa fjalë të ndjera dhe lutej për shërimin e tij dhe daljen sa më parë nga spitali.

“Poeti Bardhyl Londo është semurë në njërin prej spitaleve të Tiranes! Një lëngatë që e ndiejmë të gjithë si një çmërs që na godet fjalet, mendimet! Një lajm i keq per vajzat e tij, të afermit dhe krejt kulturen e letersinë shqiptare e cila e njeh atë per bir ekselent të sajen. Po kaq për ne të gjithë miqtë e tij që lutemi për shendetin e tij”, shkroi dhe Gjekmarkaj.

Bardhyl Londo ka lindur në vitin 1948 në Përmet. Studioi për “Gjuhë dhe letërsi” në Universitetin e Tiranës dhe pas mbarimit të fakultetit punoi për disa vite mësues në Përmet. Më vonë, u angazhua si redaktor pranë gazetës “Drita”.

Ai ishte një ndër emrat më të rëndësishëm të poezisë shqipe dhe ish-kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Në Çmimet Kombëtare të Letërsisë, organizuar nga QKLL-ja dhe Ministria e Kulturës më 2021, Londo fitoi vlerësimin për vëllimin poetik “Prill i hidhur” si vepra më e mirë poetike.