Lajme


Çuçi: Kemi dhënë porosi, asnjë kontroll gjatë festave të Nëntorit në kufinjt me Kosovën

Postuar nga admin

26th November 2021

Qytetarët kosovarë që duan të festojnë Pavarësinë e Shqipërisë dhe Festën e Flamurit këtë fundjavë nuk do të kenë asnjë pengesë për të kaluar kufirin drejt vendit tonë. Ky lajm i mirë u bë i ditur nga ministri i Brendshëm Bledi Çuçi gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive. Çuçi pohoi se është dhënë porosi në pikat e kalimit kufitar me Kosovën që të mos ketë asnjë kontroll e asnjë pengesë për kalimet e automjeteve.

“Sa i takon flukseve që do jenë të mëdha e jo të zakonshme duke përfshirë dhe festën kombëtare të datës 28 ku lëvizja do jetë me një fluks të shtuar kemi dhënë porosi në dy anët e kufirit që mos ketë kontrolle e asnjë pengesë për qarkullimin e shtetasve për periudhën e fundjavës së gjatë që krijon festa e 28 nëntorit”, tha ministri Çuçi. Po ashtu ai paralajmëroi se fillimit të sezonit të ardhshëm veror, në kufi me Kosovën do të vendoset një sistem kamerash që do lexojnë përmes targës të dhënat e automjetit pa pasur nevojë që ato të ndalojnë.

“Kemi marrë masat e s’do presim sezonin e verës për të lehtësuar qarkullimin e njerëzve sidomos në pikën kryesore të kalimit të dy vendeve tona.

Kemi rënë dakord që do vëmë një sistem kamerash në kufi dhe qarkullimi do bëhet pa ndalim e kamerat do regjistrojnë vetë çdo gjë sa i takon identitetit të makinës që kalon përmes leximit të targës së kamerave e çdo gjë do jetë automatike pa pasur nevoje të ndalojë në kufi. Kjo do jetë shumë më shpejt se sa fillim i sezonit”, -pohoi ai.

 

 

Duke u ndalur te lejet e qëndrimit 5-vjeçare, theksoi se do të bëhen lehtësime për këtë çështje, ku do të mjaftohet me plotësimin e një formulari.

“Kemi bërë kapërcim për të lehtësuar lejet për të jetuar në të dyja anët e kufirit të shqiptarisë duke bërë që një shtetas mjafton të plotësojë një formular me një dokument identifikimi e të deklarojë një adresë të përshtatshme dhe menjëherë pa asnjë procedurë shtesë merr lejen 5 vjeçare dhe pastaj do i takojë leja e përhershme pa pasur nevoje të bëjë aplikim tjetër.”, tha Çuçi.

Ndërkohë për lejet e punës, ministri shtoi se: “Më me rëndësi në këtë pikë fakti që tani kjo leje qëndrimi unifikohet dhe e njësuar me lejen e punës, një kalvar që shtetasit tanë në dy anët e kufirit e kanë hequr në kurriz deri më sot, do të thotë pa asnjë dokument vetëm kjo leje qëndrimi që merret me kaq lehtësi çdo shtetas ka të drejtë të punojë në të dy anët e kufirit.

S’ka nevoje për asnjë aplikim apo dokument për të marrë leje punë në Shqipëri apo Kosovë.”. Mes të tjerash ministri u ndal dhe te lejet e posaçme, duke shtuar se; “Marrëveshja për leje të posaçme që do marrin banorët e zonave kufitare të dy vendeve për të lëvizur lirisht jo vetëm në pikat kufitare, do krijohet një entitet 30 m në brendësi të Shqipërisë dhe 30 km në brendësi të Kosovës ku dy shtetasit e të dy anëve do përfitojnë shërbime të njëjta në Kosovë e Shqipëri sikur të jenë shtetas të të dy shteteve, janë 300 mijë banorë që do përfitojnë nga ky lehtësim, mund të ndjekin lirisht shkollën nga fillorja deri tek e mesme varësisht vendndodhjes së institucioneve arsimore.”.

FJALA E PLOTE
Të nderuar kryeministra,

Të nderuar kolegë,
Kam kënaqësinë që të nënshkruaj sot 3 marrëveshje shumë të rëndësishme. Nuk dua të zgjatem sepse kolegu i përshkroi shumë mirë dhe imtësisht, por dua të them se kush është ‘bereqeti’ i ditës së sotme në këto marrëveshje.

Dua ta filloj me lejet e qëndrimit. Kemi bërë një kapërcim shumë të rëndësishëm për të lehtësuar lejet për të jetuar në të dy anët e kufirit të shqiptarisë, duke bërë të mundur që çdo shtetas shqiptar në Kosovë, apo çdo shtetas i Kosovës në Shqipëri, mjafton të plotësojë një formular, të ketë një dokument identifikimi sigurisht, dhe të deklarojë një adresë të përshtatshme, dhe menjëherë pa asnjë procedurë shtesë ai merr lejen 5-vjeçare, dhe pastaj pa diskutim që menjëherë do i takojë leja e përhershme, pa pasur nevojë për të bërë aplikim tjetër. Por më e rëndësishmja në këtë pikë është fakti që tashmë kjo leje qëndrimi unifikohet dhe është e njësuar me lejen e punës. Një kalvar që shtetasit tanë në të dy anët e kufirit, në fakt e kanë hequr në kurriz deri më sot. Do të thotë që pa asnjë dokument, as edhe një dokument, vetëm kjo leje qëndrimi që merret me kaq lehtësi saç e përshkrova unë, çdo shtetas ka të drejtë të punojë në të dy anët e kufirit. Pra, nuk ka nevojë për asnjë aplikim, për asnjë dokument për të marrë leje pune, për të punuar një shtetas i Kosovës në Shqipëri, apo një shtetas i Shqipërisë në Kosovë. Besoj se ky është një lehtësim shumë i madh dhe do ta lehtësojë shumë qarkullimin e kapitalit njerëzor, dhe do ta bëjë një treg të përbashkët në këtë pikëpamje, tregun e madh të shqiptarisë.

Marrëveshja e dytë ka të bëjë me hapjen, apo kalimin në një status tjetër të kufirit midis Shishtavecit dhe Krushevës, duke bërë të mundur që tashmë këtë pikë kufitare mos ta përdorin vetëm vendasit që jetonin në Shishtavec apo Krushevë, ashtu siç ka qenë regjimi deri tani, por të gjithë shtetasit, qoftë të Kosovës, qoftë të Shqipërisë, por edhe shtetasit e huaj, që duan të vizitojnë këtë trevë kaq të mrekullueshme. Kjo krijon një arterie tjetër po kaq të rëndësishme për lëvizjen e kapitalit njerëzor, e biznesit, e turizmit, e shërbimeve dhe besoj se përfitimi do jetë i drejtpërdrejtë qoftë nga pikëpamja ekonomike, qoftë nga pikëpamja e shkëmbimit kulturor, dhe qoftë nga pikëpamja e përfitimeve që vijnë si rezultat i turizmit.

Marrëveshja e tretë, jo pak e rëndësishme është marrëveshja që do të mundësojë lehtësimin, apo lejet e posaçme që do të marrin banorët e zonave kufitare të të dyja vendeve, për të lëvizur lirisht jo vetëm në pikat kufitare. Pra do të krijohet një etnitet territorial-administrativ, i njëjtë 30 km në brendësi të Shqipërisë dhe 30 km në brendësi të Kosovës ku shtetasit në të dy anët do të përfitojnë shërbime të njëjta në Kosovë dhe në Shqipëri, sikur të jenë shtetas përkatësisht të të dy shteteve. Këtu përfitimi nuk është i vogël, janë rreth 300 mijë banorë, që do të përfitojnë drejtpërdrejt nga ky lehtësim. Do të thotë që mund të ndjekë lirisht shkollën që nga fillorja e deri në të mesmen, në varësi të vendndodhjes së institucioneve arsimore në të dy anët e kufirit. Mund të shkojë të punojë në të dy anët e kufirit, pa pasur nevojë për asnjë dokument, për asnjë leje, pra me një qarkullim krejtësisht të lirshëm.

Mendoj se kemi sjellë një paketë që ka krijuar një mjedis krejt tjetër, për sa i takon lirisë dhe trajtimit të të dy vendeve, si një vend unik, pa pasur nevojë për burokracira shtesë, që krijohen nga fakti që jemi dy shtete të ndryshme.

Nga ana tjetër, nuk është pjesë e marrëveshjes, por me kërkesën e Kryeministrit të Shqipërisë dhe Kryeministrit të Kosovës në mbledhjen e fundit; – z. Kryeministër, – kemi marrë masat dhe ne nuk do të presim sezonin e verës për të lehtësuar qarkullimin e njerëzve, sidomos në pikën kryesore të kalimit të dy vendeve tona. Kemi rënë dakord me Ministrin e Brendshëm të Kosovës që do të vëmë një sistem kamerash në kufi dhe qarkullimi do të bëhet pa ndalim. Kamerat do të regjistrojnë vetë çdo gjë, për sa i takon identitetit të makinës që kalon nëpërmjet leximit të targës me kamera dhe çdo gjë do të jetë automatike, pa pasur nevojë që të ndalojë fare në kufi. Kjo është një përpjekje që të dy bashkë e kemi ndërmarrë tashmë. Kemi bërë edhe planin e punës për këtë shkak dhe mendoj që do jetë shumë shpejt se sa fillimi i sezonit.

Ndërsa për sa i takon flukseve të tjera që do të jenë, sigurisht të mëdha dhe jo të zakonshme, përpara sezonit, duke përfshirë këtu edhe festën kombëtare të datës 28 nëntor, ku lëvizja në të dy anët e kufirit do të jetë sigurisht me një fluks të shtuar, kemi dhënë porosi, në të dy anët e kufirit që të mos ketë kontrolle dhe asnjë pengesë për qarkullimin e shtetasve në periudhën e fundjavës së gjatë që krijon festa kombëtare, 28 nëntori! Kështu që besoj se jemi në rrugë të mbarë për të përjetuar tashmë një lehtësi qarkullimi pa e kuptuar që ne jemi dy shtete të ndryshme.