Lajme


Disa rrugë do të mbajnë emrat e policëvet të rënë në krye të detyrës

Postuar nga admin

13th January 2022

Për herë të parë disa rrugë do të pagëzohen me emra martirësh, mbi të cilat do të kalojnë e pikëtakohen gjenerata të ndryshme. Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano, me rastin e 109-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit është shprehur se pas kësaj ceremonie, jo vetëm në Tiranë, por në disa qarqe të vendit, disa rrugë që nga sot e tutje, me iniciativë të Policisë së Shtetit dhe mbështetje të pushtetit vendor, do të pagëzohen me emrat e policëve të rënë.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm se Policia e sotme nga ajo e dikurshme ka ndryshuar tepër. Ky transformim nuk erdhi rastësisht dhe s’mund t’i përkasë inercisë. Ajo u farkëtua mbi përkushtimin, profesionalizmin, atdhedashurinë dhe sakrificat e disa brezave.

Sot kemi një Polici më të arsimuar, më të trajnuar, të mirëpajisur me logjistikë dhe në një moshë më të re, por mbi të gjitha me mentalitet e filozofi në të mirë ndaj qytetarëve dhe të ardhmes së vendit. Policia e Shtetit në këtë 109-vjetor vjen e motivuar nga besimi i qytetarëve, të cilët besojnë dhe mbështesin Policinë e tyre duke bashkëpunuar mes njëri-tjetrit për të krijuar një ambient social më të sigurt për fëmijët tanë.

Policia e Shtetit është në krah të partnerëve, duke dhënë e duke marrë besim të ndërsjellë, e mbi të gjitha e barabartë. Ajo ka realizuar qindra operacione kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Bazuar në këta tregues, Policia e Shtetit aderon në shumë agjenci ligjzbatuese ndërkombëtare dhe të gjitha këto i ka fituar me shumë mund, përkushtim e vetëdije të plotë për protagonizmin e saj në shoqërinë e sotme.

Historia 109-vjeçare e tregon qartë sakrificën e punonjësve të Policisë, pasi gjatë këtij rrugëtimi, Policia e Shtetit shënon edhe numrin më të lartë të të rënëve në krye të detyrës.

Në një datë si kjo, kur jo vetëm Policia e Shtetit, por mbarë vendi nderon rolin dhe kontributin e kësaj strukture të rëndësishme që synon e përpiqet të garantojë normalitetin në vijimësinë e jetës dhe veprimtarisë shoqërore, të gjithë përulemi para jetës dhe veprës së atyre që arritën të shmangnin apo të zvogëlonin pasojat e tragjedive në shoqërinë tonë.

Është datëlindja e Policisë së Shtetit, momenti i duhur për të shprehur mirënjohjen e pakursyer, para emrave të atyre punonjësve të policisë, që qëndrojnë mbi kohën dhe jetuan fizikisht mbi këtë tokë, të cilët me kalimin e kohës, për ne kolegët dhe pasardhësit e tyre janë shndërruar në një dekalog që përfaqëson forcën dhe qëndresën gati mbinjerëzore në disa nga periudhat më kritike për të ardhmen e vendit tonë.

Një thënie e vjetër, gati sa historia e qytetërimit thotë se: “E gjithë jeta e njeriut është një udhë!” E pra, sot do të jenë disa udhë të tilla, që ne po i pagëzojmë me emra martirësh, mbi të cilat do të kalojnë e pikëtakohen gjenerata të ndryshme, gjurmët e të cilave drejtohen gjithmonë e më tepër nga e ardhmja.

Pas kësaj ceremonie, jo vetëm në Tiranë, por në disa qarqe të vendit, disa rrugë që nga sot e tutje, me iniciativë të Policisë së Shtetit dhe mbështetje të pushtetit vendor, do të pagëzohen me emrat e policëve të rënë, dhe kjo na jep një tjetër ndjesi e   motivim.

Jo vetëm do të njohim e të kuptojmë përjetësinë e këtyre emrave, por me gjasë do të na duhet të shohim se ata më tepër se kushdo tjetër, do të vijojnë në një tjetër formë, misionin e tyre në komunikimin e përditshëm me qytetarët, duke qëndruar si etalone të kujtesës, në mbrojtje dhe edukimin e tyre me vlerat me të larta morale, qytetare e patriotike”, tha Nano./tvklan