Lajme


“Dita zë fill”, filmi më i mirë i Festivalit në Pogradec

Postuar nga admin

13th July 2018

Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë në Pogradec shpalli si filmin më të mirë “Dita zë fill” me skenar dhe regji nga Gentian Koçi. Edicioni i tetë prezantoi për publikun mbi 70 filma të ndryshëm artistikë, dokumentarë dhe me metrazh të shkurtër.

Me çmim të parë u nderua filmi “Dita zë fill” i Gentian Koçit , ndërsa çmimet e tjera shkuan për Bullgarinë, Slloveninë, Maqedoninë, Greqinë etj. Për organizatorin e këtij festivali Eno Milkani edhe ky vit ishte një sukses, ndërsa ka ende disa sfida për t’u përmirësuar në festivalin e ardhshëm.

Pjesë e festivalit edhe këtë vit ishte Mish -Mash Production ku të rinj nga gjithë Ballkani prodhuan mini reportazhe për çështje të ndryshme sociale si dhuna ndaj fëmijëve apo edhe paqja. Çmimi i parë ka shkuar për “Let me Hug You” , një mini reportazh i krijuar nga fëmijë nga Kosova e Serbia të cilët përcollën kështu mesazhin e paqes dhe dashurisë.

“Dita zë fill” (Daybreak) është një dramë intime, e cila ndodh në një apartament në Tiranë. Në fakt, është një histori që mund të ndodhë kudo. Marrëdhëniet njerëzore si dhe kompleksiteti i thellë i tyre më kanë tërhequr gjithnjë. Historia mbështetet në dy personazhe femërore, Leta dhe Sofia. Leta është një nënë e re në një situatë tejet të vështirë financiare. Për shkak të kësaj situate, ajo nuk ka mundur të paguajë qiranë që prej disa muajsh.

Kur Leta dhe djali i saj njëvjeçar nxirren jashtë prej apartamentit të tyre me qira, ata shpërngulen në shtëpinë e Sofisë, një gruaje të moshuar e të ngulur në shtrat prej sëmundjes, vajza e të cilës ka punësuar Letën si kujdestaren e nënës së saj. Me qëllim që të ruajë vendin e punës dhe strehën e saj të re, Leta duhet ta mbajë Sofinë në jetë me çdo kusht.

Boshti i historisë është marrëdhënia e brishtë mes gruas së re dhe të moshuar, një marrëdhënie që luhatet mes empatisë reciproke dhe qëllimeve pragmatike. “Dita zë fill” është film i xhiruar në interior dhe me pak personazhe ku interpretojnë aktorët: Ornela Kapetani, Suzana Prifti, Kasem Hoxha.

Festivali i Pogradecit nisi në vitin 2011. Ai lindi si një dëshirë mes kolegësh në radhë të parë për të njohur krijimtarinë ballkanike në fushën e kinematografisë, një shkollë më vete në traditën e filmit botëror dhe atij evropian. Të stimulojë gjithashtu bashkëpunimet mes kineastëve të Ballkanit, të cilët në kohët e sotme ndajnë afërsisht të njëjtën problematikë sociale dhe kulturore.