Lajme


Dua Lipa nderohet nga Këshilli Atlantik, mesazhi i saj për të ardhmen e Kosovës drejt BE-së

Postuar nga admin

11th November 2021

Dua Lipa u vlerësua së fundmi nga Këshilli i Atlantikut me Çmimin e Lidershipit të Shquar. Dua u vlerësua për karrierën e shkëlqyer muzikore dhe për angazhimin në kauza filantropike, duke përfshirë fuqizimin e gjeneratës së ardhshme të liderëve dhe muzikantëve ballkanik.

Bashkë me babain e saj, Dua themeloi Festivalin dhe Fondacionin Sunny Hill për të frymëzuar gjeneratën e ardhshme të talenteve nga rajoni dhe për të prezantuar rajonin me talentet e klasit botëror. Nëpërmjet punës së fondacionit të saj, Dua i jep zë kreativitetit dhe shpresës së popullit shqiptar.

Gjatë fjalës së saj, Dua tha se ia dedikon këtë çmim të rinjve shqiptarë ndërsa u kujdes të përcillte një mesazh për rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së si një shtet i pavarur. “Kosova është edhe shteti më i ri në Evropë në një mënyrë tjetër. Janë vetëm 13 vite të shkurtra në rrugëtimin tonë të pavarësisë.

Dhe si pjesë e një komuniteti të fortë ndërkombëtar, ne do të lulëzojmë emocionalisht, ekonomikisht dhe kulturalisht. Është në ADN-në tonë. Edhe pse më thyhet zemra që Mbretëria e Bashkuar zgjodhi të largohej nga Be-ja. Në vend që të ndalem këtu, më mirë do të kujtoja se qëllimi i parë i BE-së është të sigurojë paqen përmes unitetit.

A nuk do të ishte e përshtatshme nëse Kosova do të mund të zinte vendin e saj brenda atij bashkimi paqësor, të lulëzonte ekonomikisht përkrah fqinjëve tanë dhe të shëronte lëndimin e konfliktit të fundit? Me këtë vizion në mendje – faleminderit. Me këtë vizion në mendje, e pranoj këtë çmim me mirënjohje për të gjithë të rinjtë e Kosovës.”, tha Dua Lipa mes të tjerash.