Lajme


Ermonela Jaho shkëlqen në Spanjë me “Thais”. Publiku e duartroket për 18 minuta rresht.

Postuar nga admin

31st July 2018

Në teatrin Real në Madrid, sopranoja shqiptare Ermonela Jaho ka interpretuar operën “Thais” në krah të tenorit Placido Domingo dhe ka mahnitur të gjithë publikun. Mbrëmja  jehoi me zërin e këngëtares shqiptare, e cila është shoqëruar në fund për minuta të tëra me duatrokitje të zjarrta nga publiku spanjoll. Placido Domingo, në rolin e tenorit, dhe sopranoja shqiptare Ermonela Jaho, në rolin e kurtizanes –shenjtore, kanë ngritur publikun në këmbë. Siç kanë shkruar edhe mediat spanjolle, duartrokitjet kanë vijuar për plot 18 minuta. “Thais” është udhëhequr nga dirigjenti i njohur Patrick Fournillier. Magjia e Domingos dhe Jahos ka depërtuar edhe te publiku, aq sa në fund, artistja shqiptare nuk i ka mbajtur dot lotët nga emocioni.

Ermonela Jaho është shumë e njohur në teatrin “Real” për interpretimet e saj të mrekullueshme të “Traviatës” dhe të “Madam Butterfly”. “Thais” është një rol i komplikuar si në nivel vokal, ashtu edhe në nivel interpretimi, por artistja shqiptare nuk njeh sfida kur është fjala për vepra të mëdha të këtyre përmasave.

Mahnitëse ishte edhe veshja e artistes shqiptare në skenë, e cila nuk është lënë jashtë komenteve. Gjatë pjesës së parë, ajo kishte veshur një fustan të ngushtë të kuq, ndërsa në pjesën e dytë doli me një fustan jeshil me lule të qëndisura.