Lajme


Fasha limit e konsumit të energjisë elektrike, Balluku: Nuk është vendosur

Postuar nga admin

26th May 2022

MBLEDHJE QEVERIE frame 16088 1280x720

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se ende nuk është vendosur cila do të jetë fasha limit e konsumit të energjisë elektrike që do të tarifohet me çmim të ndryshuar. Sipas Ballukut, kjo fashë mund të luhatet mes 700 dhe 800 kilovat/orë.

“Kemi bërë një analizë të thelluar, kemi dalë në disa skenarë që mund të aplikohen. Për abonentët familjarë do të zbatojmë të njëjtin çmim. Por kemi identifikuar edhe konsumatorë familjarë që kanë konsumuar deri në 5000 kilovat/orë. Por është e drejta e tyre që ta përdorin energjinë. Megjithatë, kjo energji do të paguhet të paktën me një çmim më të lartë se sa ajo që paguhet sot. Nuk po them me çmimin e tregut se do të ishte një shumë që nuk do ta përballonte dot as ky lloj konsumatori”, tha Balluku.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike u propozua nga qeveria disa javë më parë, për shkak të krizës globale të energjisë, që vjen si rrjedhojë e luftës në Ukrainë. Fillimisht u diskutua që abonentët që konsumojnë mbi 700 kilovat/orë në muaj, do të paguajnë kilovatët mbi këtë nivel me çmim më të lartë, por ende qeveria nuk ka dalë me një vendim përfundimtar.