Lajme


Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit, shfaqet “Kaligula” nga trupa e Kosovës

Postuar nga admin

25th September 2018

Trupa e Teatrit të Kosovës doli në skenë me shfaqjen “Kaligula”, si pjesë e Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit në sallën e Universitetit të Arteve.

“Kaligula” erdhi për publikun kryeqytetas, nën regjinë e Kushtrim Koliqit, me kastin e aktorëve Xhevdet Doda, Donikë Ahmeti (aktore mysafire), Ernest Malazogu, Fetah Paçarizi, Alban Krasniqi, Zanë Duraku, Hajat Toçilla, Edona Sopaj, Alban Morina, Rifat Smani, Alban Çela si dhe Afrim Kasapolli.

Shfaqja flet për një princ relativisht të dashur në fillimet e mbretërimit. Pas vdekjes së të dashurës së tij, Drusilës, ai kupton se bota nuk është e kënaqshme. Prej këtij çasti, i pushtuar nga ideja e së pamundurës, i helmuar nga përbuzja, ai tenton përmes vrasjeve sistematike të ushtrojë një liri që në fund zbulon se është e gabuar.

Ai refuzon miqësinë, dashurinë, solidaritetin, të mirën dhe të keqen. E vërteta këtu qëndron në revoltën e fatit, gabimi i tij është injorimi që u bën njerëzve.