Uncategorized


Festivali Veror i Ohrit, Shqipëria përfaqësohet nga tre artistë.

Postuar nga admin

7th August 2018

Festivali Veror i Ohrit do të ketë përfaqësuesit e tij nga Shqipëria. Robert Bisha kompozitori i njohur shqiptar, multiinstrumentisti i talentuar i cili me interpretimet e tij ka mrekulluar gjithmonë publikun jo vetëm shqiptarë por edhe atë europian, kësaj radhe do të ketë ndalesë në Ohër.

Koncerti i Robert Bishës do të jetë në kuadër të ‘Ohrid Summer Festival’ dhe do të mbahet më datë 8 gusht. Robert Bisha do të interpretojë së bashku me Iso Polyphonic Choir – Kori Iso-Polifonik, të cilët së bashkë do të sjellin atmosferë magjike.

Në Festivalin Veror të Ohrit do të marrin pjesë gjithashtu dhe dy artistët e tjerë shqiptarë, pianisti Marin Gjollma dhe flautisti Elvis Rudi. Pianisti Gjollma dhe flautisti Elvis Rudi (Visi Rudi) do të interpretojnë me 15 gusht ora 21.00, në kishën e Shën Sofisë në Ohër tri ndër sonatat kryesore të repertorit botëror për flaut dhe piano nga Philippe Gaubert, Friedrich Kuhlau dhe Pierre Sancan.

Festivali Veror i Ohrit këtë vit shënon edicionin tij të 57-të, kjo gjë dëshmon se ekzistenca e tij është falë vlerave që ata prezantojnë dhe festivali mbështetet në diçka që me të vërtetë paraqet një traditë të madhe.

Ky festival ka pritur interpretues nga më shumë se 60 vende. Bukuri të veçantë këtij festival i jep mjedisi magjik i vendeve që zgjidhen si skenë e manifestimeve,oborri i katedrales “Shën Sofia”, Kalaja e Samuelit dhe teatri antik.

Nga viti 1994 Festivali Veror i Ohrit është pjesë e Shoqatës Europiane të Festivaleve. Ky festival paraqet krenari të madhe dhe përfitim të jashtëzakonshëm kulturor për Maqedoninë, dhe ngjarjet paraqesin pasuri kulturore për çdo vizitor./