Lajme


Filmat “Krom” dhe “Vëthi i munguar”, premierë në Milano dhe Torino

Postuar nga admin

10th April 2018

Qendra e Kulturës Shqiptare organizoi ditët e fundit, në Torino dhe Milano paraqitjen e filmave ‘Krom’ dhe ‘Vëthi i Munguar’, vepra të regjizorit të njohur Bujar Alimani.

Filmat u shfaqën për herë të parë në dy kryeqendrat e veriut të Italisë, në dy ‘tempuj’ të kinemasë së filmave autorë dhe prodhimeve të pavaruara si Cinema Classico dhe Il Cinemino, si edhe në qendrat e rëndësishme kulturore Polo del ‘900 dhe Sereno Regis.

Shfaqjet në gjuhë origjinale me nëntituj në italisht u pritën mjaft ngrohtë nga
publiku artdashës, që vlerësoi veçanërisht lojën e aktorëve protagonistë, ndër të cilët Klodjana Keço, Kasem Hoxha dhe Ema Andrea, cilësinë e fotografisë së
filmit, si edhe zgjedhjet e guximshme autoriale të regjizorit Alimani.

Pjesëmarrësit patën mundësi në fund të takimeve të bashkëbisedojnë drejtëpërdrejtë me autorin, duka shfaqur interes dhe kuriozitet jo vetëm për tematikat e trajtuara, por edhe për Shqipërinë në tërësi dhe zhvillimin e artit dhe kulturës në vendin tonë.

Gjatë prezantimit të filmave, me autorin Alimani bashkëbiseduan gjithashtu edhe përfaqësuesit e Qendrës së Kulturës Shqiptare Benko Gjata, Vasenka Rangu dhe Indrit Metiku, Konsullja e Përgjithshme e Shqipërisë në Milano Anila Pojani, përfaqësueset e fondacioneve Goria e Nocentini, Alessia Conti dhe Marcella Filippa, si edhe kryetari i Bashkisë 4 të Milanos Paolo Guido Bassi.

Veprimtarit e zhvilluara në kuadër të nismave të Qendrës së Kulturës për
promovimin e artit shqiptar në Itali, u pasqyruan në shumë media të rëndësishme të territorit ndër të cilat edhe të përditshmet Corriere della Sera dhe La Repubblica.