Showbizz
Folklori shqiptar prezantohet në zemër të Brukselit

Postuar nga admin
23rd April 2018
Shqipëria prezantoi kulturën e gjallë në zemër të Brukselit, në sallën BOZAR, nga ku shpalosi ngjyrat, ritmet dhe energjinë e një vendi me identitet europian, vetëm pak ditë pas hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore mori pjesë në Festivalin Ndërkombëtar Kulturor “Balkan Trafik”.
Pjesëmarrja e Ansamblit në këtë festival, u mundësua me mbështetjen e ministrisë së Kulturës.
Programi përfshiu vallet më të spikatura të zonave të ndryshme, këngët polifonike deri te formacionet orkestrale në formën e kabasë, apo meloditë e pavdekshme të këngës së kultivuar.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka theksuar fort se “detyra e promovimit të një imazhi të favorshëm jashtë vendit i takon diplomacisë kulturore. Roli i kulturës në përmirësimin apo promovimin e imazhit të vendit, është i rëndësishëm. Kemi vite që Shqipëria eksporton kulturë me cilësi të lartë”.
Koncerti i Ansamblit Kombëtar, i sapo nderuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, premtoi sukses ne vijim.