Lajme


Fundjava vjen me dy premiera për publikun e vogël në teatrin Eksperimental

Postuar nga admin

18th March 2019

Teatri Kombëtar Eksperimental ”Kujtim Spahivogli” po përgatitet për dy premierat e fundjavës për publikun e vogël. Çdo fundjavë në këtë teatër publiku i vogël argëtohet me shfaqje të shumta të cilat sjellin argëtim por dhe mesazhe sociale për ta.

Dy premierat e fundjavës për fëmijët janë “Ferdinand” e cila do shfaqet të shtunën në orën 10:30 dhe 11:30 dhe “Mendjet e vockla” të dielën në orën 10:30 dhe 11:30.

“Ferdinand” është një histori aspak si të tjerat , një histori që flet për guximin, dashurinë dhe mbi të gjitha për miqësinë. Kjo është historia e Ferdinandit, një Dem i vogël me zemër të madhe, një dem që nuk i pëlqen të ndeshet por i pëlqejnë lulet. Kur Ferdinandin e ngatërrojnë për një bishë të frikshme, e kthejnë në fermën e demave. A do mundet ai të kthehet në shtëpi dhe të ndryshojë gjërat një herë e përgjithmonë? Një histori plot aventura, aksion dhe ritëm. Personazhe fantastike, në rrethana të jashtëzakonshme.

“Mendjet e vockla” sjell historinë e Rreg dhe Ullsi dy vogëlush që jetojnë mes rrregullave, disiplinës dhe korrektësisë absolute. Por ja që një ditë, në shtëpinë e tyre jashtëzakonisht të pastër, u vjen për vizitë një zotrush i veçantë nga qyteti “Kotësia e Kotë” dhe pikërisht nga lagjja që ndodhet m’u në qendër të qytetit që quhet “Lagjja e Budallenjve”.

Ai është aq i çuditshëm saqë ecën mbrapsht, flet mbrapsht, ushqehet mbrapsht, mendon mbrapsht, por sidomos bën një qejf të paparë mbrapsht. Kjo krijesë e këndshme dhe mjaft argëtuese, edhe pse paksa e mbrapsht, shoqërohet me ardhjen e dy super ëmbëlsirave nga “Lagjia e Sheqerit”, të cilat thyejnë dietën ushqimore të fëmijëve. Gjithashtu edhe Zonja Loloja, që vjen nga “Lagjia e Lojrave”, e cila është aq e zonja saqë organizon lojra gjatë gjithë ditës. Mes lojrave të pafundme, rrëmujës dhe thyerjes së të gjitha rregullave, fëmijët arrijnë të kuptojnë gabimet e tyre.