Lajme


Gazetarët Pa Kufij: Shqipëria pëson rënien më të madhe historike të lirisë së medias

Postuar nga admin

3rd May 2022

Organizata Gazetarët pa Kufij, në Treguesin Botëror të Lirisë së Shtypit, radhiti Shqipërinë dhe Kosovën në mesin e vendeve problematike. Por, sipas treguesit që u publikua të martën, Shqipëria ka shënuar rënie, ndërsa Kosova ka shënuar përparim krahasuar me raportin e vitit të kaluar.

Treguesi i klasifikon vendet në mjedise “të mira”, “pak a shumë të mira”, “problematike”, “të këqija” ose “shumë të këqija”, për lirinë e shtypit. Në treguesin që përfshinë 180 vende, Shqipëria radhitet në vendin 103-të duke shënuar një rënie prej 20 vendesh krahasuan me vitin paraprak kur renditej ne vendin e 83-të.

Kosova ndërkaq ka shënuar një ngritje prej 17 vendesh. Treguesi i Gazetarëve pa Kufij e radhiti atë sivjet në vendin e 61-të ndryshe nga një vit më parë kur ishte në vendin e 78-të.

Nga vendet tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut ka shënuar përparim për 33 vende. Ajo radhitet sivjet në vendin e 57-të, ndërsa një vit më parë ishte në vendin e 90-të.

 

 

Serbia radhitet në vendin e 79-të, ndërsa një vit me parë ishte e 93-ta. Mali i Zi është në vendin e 63-të ndryshe nga treguesi i vitit të kaluar që e kishte renditur në vendin e 104-të. Bosnja dhe Hercegovina ka shënuar rënie duke u radhitur në vendin e 67-të, ndërsa një vit më parë ishte në vendin e 58-të.

Organizata Gazetarët pa Kufij vlerëson se demokracitë po dobësohen nga asimetria midis shoqërive të hapura dhe regjimeve despotike që kontrollojnë mediat dhe platformat e tyre online, ndërkohë që bëjnë luftëra propagandistike kundër demokracive.

Propaganda një kërcënim botëror për median e lirë

Agresioni kundër Ukrainës (e cila radhitet në vendin e 106-të të treguesit) nga Rusia (që është në vendin e 155-të) në fund të shkurtit, pasqyron këtë proces, pasi konfliktit fizik i parapriu një luftë propagandistike, thuhet në raport.

Kina, që është në vendin 175-të, një nga regjimet autokratike më represive në botë, thuhet më tej, përdor arsenalin e saj legjislativ për të kufizuar popullsinë e saj dhe për ta shkëputur atë nga pjesa tjetër e botës, veçanërisht popullsinë e Hong Kongut i cili ka rënë ndjeshëm në renditjen e tij në treguesin e lirisë së shtypit duke u radhitur në vendin e 148-të.

Përplasjet midis “blloqeve” po rriten, thuhet në raport, siç shihet ajo midis Indisë së nacionalistit Narendra Modi (që radhitet 150-ta) dhe Pakistanit (i 157-ti). Mungesa e lirisë së shtypit në Lindjen e Mesme vazhdon të ndikojë në konfliktin midis Izraelit (në vendin e 86-të) dhe Palestinës (në vendin e 170-të) dhe shteteve arabe

Sipas organizatës, polarizimi i medias po ushqen dhe po forcon ndarjet e brendshme sociale në shoqëritë demokratike si Shtetet e Bashkuara, që radhiten në vendin e 42-të, pavarësisht zgjedhjes së presidentit Joe Biden.

Rritja e tensionit social dhe politik po nxitet nga mediat sociale dhe mediat e reja veçanërisht në Francë, e cila është e 26-ta. Shtypja e mediave të pavarura po kontribuon në një polarizim të mprehtë në “demokracitë joliberale” si Polonia, e cila radhitet e 66-ta, ku autoritetet kanë forcuar kontrollin e tyre mbi transmetimin publik dhe strategjinë e tyre për “ri-polonizimin” e mediave private.

Treshja e vendeve nordike që radhitet në krye të treguesit, Norvegjia, Danimarka dhe Suedia, vazhdon të shërbejë si një model demokratik ku lulëzon liria e shtypit.

Situata është cilësuar si “shumë e keqe” në një numër rekord prej 28 vendesh. Të dhjetë vendet më të këqija në botë për lirinë e shtypit përfshijnë, Sirinë, Irakun Kubën, Vietnamin, Mianmarin, Kinën, Turkmenistanin, Iranin, Eritrenë dhe Korenë e Veriut./VOA