Lajme


Instituti i Vjenës: Ekonomia shqiptare rritje deri në 6.4%

Postuar nga admin

25th October 2021

Instituti i Vjenës në raportin më të fundit nënvizon për rritje me ritme më shpejta të ekonomisë shqiptare, duke tejkaluar parashikimet e fillimvitit. Ky raport përforcon edhe ato të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, institucionet më të rëndësishme financiare.

“Rimëkëmbja në formë “V” që ne shohim sugjeron se ekonomia është kthyer në rrugën e duhur dhe do të mbetet e shëndoshë. Rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto do të përshpejtohet në 6.4% në vitin 2021 dhe do të qëndrojë mbi 4.5% në periudhën afatmesme”, thuhet në raportin më të fundit të Institutit të Vjenës.

Sipas raportit, sektori i turizmit ka pasur një vit tejet pozitiv dhe po i afrohet nivelit të tij para pandemisë së Covid-19.

“Rritja do të udhëhiqet nga investimet dhe nga kërkesa optimiste e jashtme dhe e brendshme, por rreziqet negative që rrjedhin nga tregjet ndërkombëtare dhe pandemia kërkojnë vigjilencë”, theksohet në raport.

Në përfundim të konsultimeve të Artikullit IV, shefja e Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Yan Sun deklaroi më 12 Tetor se rritja ekonomike e Shqipërisë parashikohet për këtë vit 7.6-7.8% nga 5.5 % që ishte vlerësimi fillestar.

Ndërsa javën e shkuar Banka Botërore publikoi raportin ekonomik për Ballkanin Perëndimor, në të cilin theksohej se ekonomia e Shqipërisë po rimëkëmbet më shpejt seç pritej, pas krizës historike të shkaktuar nga pandemia Covid-19.