Lajme


Italia ashpërson rregullat edhe për personat e vaksinuar

Postuar nga admin

15th December 2021

Rregullat për udhëtimet drejt Italisë po bëhen më të rrepta. Nëse deri më tani qytetarët europianë do të mjaftoheshin me pajisjen me “Green Pass” – të marrë pas tamponit, vaksinimit apo shërimit nga Covid – nga sot deri më 31 janar, edhe ata që posedojnë certifikatën jeshile, do të duhet të bëjnë tampon. Ndërsa ata që nuk janë vaksinuar, përveç tamponit, do të duhet të qëndrojnë në karantinë për 5 ditë pasi të mbërrijnë në Itali.

Rregullat vlejnë edhe për italianët që shkojnë jashtë vendit dhe kthehen në atdhe. Përjashtim bëjnë vetëm fëmijët nën 12 vjeç, prindërit e të cilëve janë të vaksinuar. Por nëse prindërit nuk janë të vaksinuar, fëmijët e tyre detyrohen me izolim.

Këto rregulla të reja janë nënshkruar nga ministrja e shëndetësisë dhe ministri i jashtëm, Di Maio, të shqetësuar për përhapjen e variantit Omicron.

Ndërsa ata që vijnë nga shtete jo anëtare të BE-së, dhe nuk janë të vaksinuar, do të duhet të qëndrojnë në karantinë për 10 ditë. Personat e imunizuar duhet të kryejnë një test.

Po ashtu, ndalimi i hyrjes për ata që vijnë nga Afrika e Jugut, Lesoto, Botsvana, Zimbabve, Malavi, Mozambiku, Namibia dhe Swatini është zgjatur deri më 31 janar.