Lajme


“Jetë e trazuar” , dokumentari në nder të Fançesk Radit dhe një letër për të.

Postuar nga admin

5th April 2018

Një letër që Martin Leka i shkroi mikut të tij Franncesk Radi të sapo ndarë nga jeta vitin e shkuar, shërbeu si gjenezë e një dokumentari të shfaqur në Tiranë ditën e martë. Dokumentari i realizuar nga Radio Televizioni Publik Shqiptar me skenar të Martin Lekës, flet për jetën e Françesk Radit. Përmes jetës së tij vjen e gjithë koha, duke nisur që nga vitet 70-’80, kur nisi censura në artin shqiptar. Në dokumentarin “Jetë e trazuar” kanë folur artistët Robert Radoja, Bujar Kapexhiu, Josif Papagjoni, Sadik Bejko, Zhani Ciko etj.

I dashur mik!
Ti ike shumë herët, shumë shpejt; si në një aksident. Nuk pate as kohë të vuaje nga sëmundja e menjëhershme. Mirësitë që bëre në jetë ta kursyen vuajtjen. Veçse u tregove pak cinik e i pabesë: ua le dhimbjen përgjithmonë Teftës, gruas së rrallë që të dashuroi (ta tha dje) atëherë kur të tjerët s’të flisnin me gojë, Anjezës e Baltionit, Andetës e Rozanës, vëllait e motrave. T’i shikoje dje sa dhimbje kishin për ty, nuk do ta bëje gabimin e madh të jetës, ikjen prej tyre!
E di që nuk të vjen mirë që po të shkruaj kështu, e di edhe që do ma grisje menjëherë këtë copë letër, por unë nuk mund të rri pa të thënë dhe dy fjalë të tjera:
Ty ta shpejtuam ikjen të gjithë nga pak, ca naivë (edhe unë) e ca hipokritë:
Që s’të kuptuam
Që s’të dëgjuam
Që s’të njohëm mirë
Që s’ta lexuam heshtjen
Që s’të gjetëm “Adresën”
Që s’të kapëm ritmin, edhe kur ti ecje me “Biçikletë”
Që s’të bëmë “Një telefonatë zemrash” kur ti kishe nevojë…
Ndaj na mblodhe dje, si të përhumbur në terr për të na thënë: “Ky fat na ra”, “Humbet pranverën”…
Ke të drejtë. Problemi nuk është me disa që ikin, por me ne të gjallët. Mbi tokë ecin shumë njerëz, por shumë pak prej tyre lënë gjurmë!
Ti, ishe ndër të paktët!