Lajme


Jo ngrënie me gishta dhe mos prekja e flokëve… Njihuni me protokollin e masave anti-Covid për sezonin turistik

Postuar nga admin

16th June 2021

Protokolli i këtij sezoni për të gjithë bizneset dhe personat që do të pushojnë këtë verë në plazhet shqiptare duket më specifik dhe më i detajuar. Ministria e Shëndetësisë me ministrinë e Turizmit kanë miratuar protokollin që duhet të zbatohet nga sipërmarrjet e shërbimeve turistike, nga turistët, vizitorët si dhe nga pushuesit, pra qytetarët shqiptarë. Situata me Covid duket e përmirësuar por rreziku nga infektimi vijon, për këtë arsye protokolli liston rregullat e përgjithshme, por është edhe një manual për administrimin e ushqimit dhe pijeve, shërbimin e mishit apo edhe për vendosjen e tavolinave në lokale, ku karriget duhet të jenë 1 metër në distancë nga njëra-tjetra. Gjithashtu rekomandohet pastrimi i përsëritur i ambienteve, distanca 3 metër nga çadrat dhe distancim fizik në festa të hapura, ku lejohen deri në 50 persona.

Pastrimi duhet të përfshijë të gjitha sipërfaqet siç janë tavolinat, krevatet, karriget, telefoni, telekomanda, dorezat e dyerve dhe panelet, si dhe çdo pajisje tjetër që konsiderohet se mund të jetë e prekur nga vizitori. Sipërfaqet që mund të ndoten me sekrecione të frymëmarrjes ose lëngje të tjera të trupit të personit, psh tualeti, basenet e larjes së duarve dhe banjot duhet të pastrohen me solucion të rregullt dezinfektues që përmban 0.1% hipoklorit të natriumit dhe te lihen pa u shplarë me ujë për 10 minuta. Sipërfaqet duhen shpëlarë me ujë të pastër pas 10 minutash kontakti me klorin.

Një pjesë të rëndësishëm në protokoll zë edhe manuali për administrimin e ushqimit dhe pijeve.

Manuali për administrimin e Ushqimit dhe Pijeve

– Kryeni larjen e duarve shpesh dhe sipas kërkesës.

– Vishni maskë dhe doreza kur përgatisni ose përdorni ushqimin.

– Shmangni pirjen e duhanit, ruani etiketen respiratore në ambientet ku përgatitet ose shërbëhet ushqim.

– Ndalohet përgatitja ose prekja e ushqimeve, prekja e sipërfaqeve në kontakt me ushqimin pa patur doreza.

– Ndalohet shijimi i ushqimit me gishta

– Ndalohet prekja e flokëve ose pjesëve të tjera të trupit pa doreza kur ndodheni brenda zonave të përgatitjes apo servirjes së ushqimit pasi mund të rezultojnë në ndotje të ushqimit.

– Menaxhimi i sipërmarrjes turistike, duhet të promovojë sigurinë dhe higjienën e ushqimit për personat që përgatisin dhe shpërndajnë ushqimin.

Rregulla për shërbimin në Bare dhe Restorante
4.1 Vendosja e tavolinave në restorante dhe bare

Tavolinat duhet të vendosen në atë mënyrë që distanca nga pjesa e pasme e një karrige në pjesën e pasme të një karrige tjetër të jetë më shumë se 1m larg dhe që klientët të përballen me njëri-tjetrin nga një distancë prej të paktën 1m.

Personeli qe shërben ushqimin duhet të jetë i pajisur përgjatë gjithë periudhës së shërbimit me maska. Dorezat do te vendosen sipas nevojes kur preken ushqimet.

Në rastin e ofrimit të shërbimit bufe, administrotori/ menaxheri i strukturave akomoduese të kapaciteteve të mëdha, (hotel/ resort) rekomandohet të përcaktojë dhe shënojë dukshëm korridorin e lëvizjes së klientëve.

Klientët rekomandohet të respektojnë distancën e rekomanduar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Në rast se përdoren makinat automatike, pijet të shërbehen vetëm në gota kartoni njëpërdorimshe.

Pjesët e makinerive në kontakt me duart e përdoruesit, rekomandohet të pastrohen dhe dezinfektohen të paktën pas çdo shërbimi dhe më shpesh nëse është e nevojshme.

4 Rregulla për shërbimin në plazhe

Rregulla të përgjithshme

Deri në përfundim të gjëndjes së epidemisë së shkaktuar nga infeksioni Covid19, të gjitha stacionet e plazhit, si dhe plazhet publike duhet të kenë të afishuara këshillat dhe rregullat në kuadër të mbrojtjes nga Covid19.

Këto rregulla konsistojnë në:

Mbani parasysh rregullat bazë për parandalimin e Covid19:

Lani dhe dizifektoni duart, vazhdimisht dhe në mënyrën e duhur;

Përdorni maskat sipas udhëzimeve;

Shmangni grumbullimet në njerëz dhe çdo lloj kontakti;

Mos prekni fytyrën dhe hundët me duar të palara e të padizifektuara;

Kur kolliteni ose teshtini, mbulojeni gojën/hundën me parakrah ose me facoleta njëpërdorimshe;

Nëse vini re simptomat e Covid19, telefononi Nr. 127

Në marrjen e shërbimeve në ambientet e stacionit të plazhit, respektoni gjithmonë distancën e miratuar nga MSHMS (1.5 m).

Ruani gjithmonë distancën edhe gjatë shëtitjeve në plazhe, bregun e detit, liqenit, lumit apo përgjatë shëtitoreve.

Shërbimet në stacionet e plazhit

Stafi që shërben pranë stacioneve të plazhit të ketë uniformë dalluese.

Shërbimi për pastrimin dhe mirëmbajtjen e stacionit të plazhit dhe të gjitha ambienteve të tjera të jetë ditor.

Të kryhet dezinfektimi i krevateve të plazhit, shërbimeve higjienike dhe aksesorëve të ndryshëm cdo dite ne menyre periodike, gjatë orarit të hapjes së stacionit të plazhit duhet të sigurohet vazhdimësia e pastërtisë dhe boshatisja e koshave të mbeturinave.

Të gjitha aktivitetet si (bare, beach bare) duhet të jenë në përputhje me direktivat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Tavolinat në beach bar duhet të kenë distancë 2 m larg njëra tjetrës

Deri në përfundim të gjëndjes së epidemisë së shkaktuar nga infeksioni COVID19, kushtet minimale që duhet të përmbushë një stacion plazhi në plazhet e tipit A, janë, si më poshtë vijon:

a) për çadrat dhe ndenjëset e pushuesve të respektohet një distancë prej të paktën 7m nga vija e bregut të detit, liqenit, lumit;
b) hapësira midis çadrave (nga çadra në çadër) nuk duhet të jetë më e vogël se 3.5 m në linjë horizontale me vijën e ujit, si dhe jo më e vogël se 3.5 m në linjë vertikale me vijën e ujit;
c) të ketë në dispozicion të pushuesve 1 dush me ujë të ëmbël për çdo 100 (njëqind) çadra, i cili duhet të pajiset me sapun, xhel higjienizues;
d) Të gjitha kushtet e tjera, përveç sa më sipër, të përcaktuara nga Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 171, datë 27.03.2019 Për miratimin e rregullores “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”.
Kushtet minimale që duhet të plotësojë një stacion plazhi në plazhet e tipit B, janë, si më poshtë vijon:

a) hapësira midis çadrave (nga çadra në çadër) duhet të jetë të paktën 3m;
b) të ketë në dispozicion të pushuesve 1 (një) dush me ujë të ëmbël për çdo 100 (njëqind) çadra, i cili duhet të pajiset me sapun, xhel higjienizues;
c) Të gjitha kushtet e tjera, përveç sa më sipër, të përcaktuara nga Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 171, datë 27.03.2019 Për miratimin e rregullores “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”.