Lajme


Kënga polifonike shqiptare, 15-vjet në listën e mbrojtjes nga UNESCO

Postuar nga admin

25th November 2020

Sot shënohet 15-vjetori i përfshirjes së këngës polifonike shqiptare në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë të njerëzimit”, mbrojtur nga UNESCO.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta theksoi sot se ky akt vlerësimi i UNESCO-s reflekton shkallën e lartë të cilësisë së trashëgimisë sonë shpirtërore kombëtare, identitetin e spikatur kulturor dhe talentin e bartur në vite të genit shqiptar.

“Sot kam kënaqësinë dhe krenarinë e veçantë të përshëndes 15-vjetorin e përfshirjes së këngës polifonike shqiptare në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë të njerëzimit”, mbrojtur nga UNESCO! Urimi më i përzemërt shkon për të gjithë korifejtë shqiptarë të polifonisë, të cilët në rolet e “Marrësit”, “Prerësit”, “Hedhësit” dhe “Isos” së kësaj kënge, kanë mbajtur gjallë dhe transmetuar këtë traditë të shquar kombëtare, brez pas brezi”, u shpreh Meta.

“Përshëndes kontributin e grupeve krijuese, bartësve, interpretuesve, rapsodëve, studiuesve dhe artistëve të folklorit e kulturës popullore”, theksoi Meta.

“Ky akt vlerësimi i UNESCO-s reflekton shkallën e lartë të cilësisë së trashëgimisë sonë shpirtërore kombëtare, identitetin e spikatur kulturor dhe talentin e bartur në vite të genit shqiptar. Gjuha, kënga polifonike dhe identiteti i shqiptarit kanë qenë dhe do të jenë përherë një e të pandarë! Lavdi përjetë këngës polifonike”, përfundoi Meta.