Lajme


Koncert “Ahengu Shkodran”, 35 vite nga krijimi i grupit muzikor “Karajfilat që ka Shkodra”!

Postuar nga admin

1st October 2018

Grupi muzikor “Karajfilat që ka Shkodra”, i krijuar në vitet ’80, për 35 vjet me radhë i ka dhuruar qytetit verior dhe gjithë Shqipërisë gjallëri në jetën artistike përmes këngëve e muzikës.

Në 35 vjetorin e krijimit, koncerti “Ahengu Shkodran”, këtë vit do t’i kushtohet këtij grupi që bëri një epokë të rëndësishme në muzikën qytetare shkodrane.

Koncerti “Karajfilat prapë këndojnë” do të sjellë mbrëmjen e sotme në Muzeun Historik “Oso Kuka”, një koncert me këngë popullore të organizuar nga Qendra kulturore “Pjetër Gaci”.
Në këët koncert janë të ftuar edhe këngëtarë të njohur të muzikë spopullore shkodrane si Bujar Qamili, (Mjeshtër i Madh), Mukades Çanka (Mjeshtër i Madh), Orjeta Kelaj, Leonora Luza, Marjana Begu, etj. Drejtor i Orkestrës është Ilir Zoga, drejtor artistik Bardhyl Hysa, drejtor organizativ Sidrit Lohja.

Grupi “Karafijlat që ka Shkodra” përbëhet nga Ruzhdi Çeka, Berhan Nehari, Arben Jubani, Leonard Guga, Ademir Fresku, Ivan Tanushi, Fatjon Tanazi, Eugen marku, Eriger Çela, Gierdit Turmetaj.

Ky koncert do të përcjellë traditën e bukur në ruajtjen e muzikës popullore që personifikon një qytet si Shkodra.

Formacioni popullor “Karaifilat që ka Shkodra” u themelua në verën e vitit 1983 nga ideatori Nesret Kastrati dhe arkitekti i këtij grupi Tahir Kastrati. Dikush më i ri e dikush më pak i vjetër, bashkuan zërat e tyre të mrekullueshëm, për t’u bërë, jo vetëm të njohur, por edhe legjendar në llojin e tyre. Ishte hera e parë që një grup i përbërë prej 10 burrash do të hynin në historinë e këtij qyteti si një kompleks që do ta çonin këngën shkodrane më tej. Ato ishin: Bep Pavaci, Rushdi Çekaj, Paulin Gruda, Ferdinand Deda, Luigj Alia, Berhan Neani, Riza Ramadani, Tahir Kastrati, Nesret Kastrati dhe Leon Leka.

Të gjithë këngëtarët që performuan në këtë grup ishin pjesëtarë të një kori të Shtëpisë së Kulturës të qytetit të Shkodrës. Ishte ideja e Tahir Kastratit, që me më të përzgjedhurit e këtij kori, të krijohej një grup, i cili me një repertor këngësh që buronte nga tradita shkodrane, të paraqitej përpara publikut.

Këtë ide e përkrahën edhe muzikantët dhe kompozitorët shkodranë si, Mark Kaftalli e Nazmi Lishi, por në mënyrë të veçantë mjeshtri Luan Barova, i cili ishte edhe udhëheqësi artistik i tyre.

Kështu u themelua grupi “Karajfilat që ka Shkodra”, grup që për 35 vite me radhë, jo vetëm mbajti gjallë traditën e këngës shkodrane, por e pasuroj dhe e trashëgoi edhe me këngëtarë të rinj, që edhe sot e kësaj dite janë pjesë e këtij grupi.