Lajme


Letra e bukur e Xhulit për Teodor Kekon, 16 vjet pas vdekjes

Postuar nga admin

4th September 2018

I dedikoi këngë Xhulit, – ajo që këndon Piroo Çako- tani shtë ajo qe i shkruan, 16 vjet pasi vdiq, një letër prekëse.

Se kështu janë çiftet e mrekullueshme, komunikojnë pavarësisht ikjes.

Dori im i dashur,

Kam disa kohë pa të shkruar, e di, por unë çdo mbrëmje bisedoj me ty.

Pasi mbyllet dita dhe bëhem gati për gjumë sigurisht që mendimi shkon te gjërat që kanë shkuar mirë ose jo, apo tek ato që priten të ndodhin. Gjithnjë pyes veten se si do kishte vepruar Dori po të ishte në vendin tim dhe sinqerisht shpesh e marr përgjigjen e duhur.

Do të doja që të mos kisha nevojë të shkruaja këtë letër në prag të ditëlindjes tënde të 60-të por të isha e okupuar bashkë me djemtë për përgatitjen e një feste surprizë për ty. Pastaj, do të doja që në ditëlindjen tënde të të thosha plot gjëra Dori, duke të parë në sy… Të tregoja për Teon e vogël që mban emrin tënd, për Martinin që tashmë është shoku im më i mirë, për Elion, dikur aq të përkëdhelur, që është bërë një baba i kujdesshëm, që i jep Teos dhe Kitit aq shumë dashuri e mua aq shumë mbështetje shpirtërore.


Çfarë të të them më o Dori në këtë përvjetor tëndin?… Kanë kaluar plot 16 vjet nga ikja tënde e, çdo ditë që shkon më mungon më shumë mua dhe fëmijëve, çdo festë jona është e trishtë pa ty, çdo ardhje në Tiranë është dhimbje sepse e bën edhe më evident faktin që ti nuk je më, çdo kafe në kafenenë tënde të preferuar është e pabukur. E vetmja gjë e bukur që mund të të them është fakti se të gjithë të kujtojnë: miqtë, të afërmit, lexuesit e tu të shumtë. E kjo, pavarësisht se më bën të mos ndihem krejtësisht vetëm por të të kem pranë në 100 mënyra, sërish nuk mjafton për të gjetur forca e festuar ditëlindjen tënde përveçse të të sjell një buqetë të madhe me lule, dy gota konjak për ne të dy, e për të ndezur nga një cigare duke biseduar…

Të të them një sekret… e di ku po e shkruaj këtë letër…. jam buzë liqenit në Pogradec, pikërisht në hotelin ku kaluam muajin e mjaltit. Natyrisht hoteli ka ndryshuar shumë por dhoma ime është pothuajse mbi liqen, njësoj si atëherë. Edhe Pogradeci ka ndryshuar por për mua do të mbetet përherë ai qyteti i vogël e i ëmbël ku u ngjiz Martini. Të gjithë qeshin kur u tregoj se djali i madh, tashmë 33 vjeç, është produkt i pastër i peshkut belushk dhe shumë gotave verë të prodhuar në Pogradec, shijuar nga ne në verën më të bukur të jetës sime, atë të vitit 1984.

Përpara se ta mbyll dua të të tregoj për Teon, i cili e ka ndryshuar e gëzuar jetën tonë. Mua më duket, siç çdo gjysheje, fëmija më i ëmbël në botë. Është një ndjesi që nuk e kisha provuar në jetë, dashuri sublime. Shpesh Kiti qesh me mua e më thotë: “Më duket se ke rënë në dashuri me këtë burrin e vogël”. Sa herë e shoh dhe e përkëdhel të kujtoj ty, më vjen mirë që mban emrin tënd por besomë aq keq që nuk u takuat kurrë, megjithëse jam e sigurtë që do jetë krenar për gjyshin e tij. Sa herë i tregoj përralla, gjithnjë në shqip sepse jam e vendosur t’i mësoj gjuhën tonë, në fund i them se sa bukur do të ishte sikur këto përralla të t’i tregonte gjyshi Dori dhe besomë më sheh me ato sytë e tij të mëdhenj blu dhe buzëqesh thua se më kupton.

Po iki përpara se të të trishtoj jetën tënde tashmë të paqtë me përditësinë time tokësore të mbushur me mungesën tënde.

Të dua shumë,
Xhuli
Pogradec më, 28 gusht 2018.