Lajme


” Mall” nga Eugent Bushpepa, triumfi i Festivalit te RTSH.

Postuar nga admin

25th December 2017

Eugent Bushpepa me Këngën “Mall” rrëmbeu trofeun e Festivalit të 56-të të Këngës në RTSH pas një mbrëmjeje spektakli madhështor që shoqëroi konkurimin. Si asnjëherë më parë, kënga dhe vokali i Bushpepës gjetën konsensusin e kritikës, medias, jurisë dhe dëshirës së publikut për këngën që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong.
Dhënia e kupës u shoqërua me emocione të shumta, brohoritje dhe duartrokitje nga publiku i cili e mbështeti vazhdimisht. Bushpepa u shpreh vetëm pak minuta pas shpalljes si fitues se ndjehej i lumtur dhe falenderonte RTSH. “Do të mundohet ta përfaqësoj sa më mirë Shqipërinë në Eurosong” tha ai.
“Mall” është një krijim muzikor dhe poezi nga vetë fituesi Eugent Bushpepa, i njohur prej vitesh si një prej rokerëve më të mirë shqiptarë të dekadës së fundit. “Shpresoj t’ju pëlqejë dhe t’ju ndihmojë të kaloni sadopak mallin që keni për dikë” tha Bushpepa kur kënga u publikua pak kohë më parë. Por “Mall” jo vetëm u pëlqye, por është tashmë fituese. Në vend të dytë në Fest ’56 u rendit Redon Makashi me këngën “Egziston”, ndërsa në vendin e tretë Inis Neziri me këngën “Piedestal”.
Festivali i 56 i Këngës në RTSH ka ulur siparin e tij, por ai duket se ka shënuar hapjen e një epoke të re në historinë e institucionit më të madh e më të vjetër radioteleviziv shqiptar. Sikurse u shpreh edhe prezantuesi i festivalit Adi Krasta “RTSH kërkon të lerë pas krahëve shijet e neglizhencës së politikës ndër vite”. “Festivalet në RTSH, kanë qenë janë dhe do të jenë një burim i pashtershëm i muzikës dhe kulturës shqiptare” shtoi ai.