Lajme


Mjeku Ilir Alimehmeti shpjegon nëse mund të bëhen njëkohësisht vaksinat për gripin dhe Covid-in

Postuar nga admin

15th October 2021

Mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti, është shprehur se vaksina e Covid-it dhe ajo kundër gripit mund të bëhen në një ditë. I ftuar ne studion e lajmeve në Klan News, mjeku tha se vaksinimi bëhet për viruse të ndryshme dhe duke iu referuar studimeve, shtoi se nuk ka pasur efekte negative.

“Teorikisht nuk ka pse të ketë (efekte anësore), pasi jemi duke stimuluar imunitetin për dy viruse të ndryshme. Nga ky aspekt, nuk kemi diçka që biologjikisht mund të themi se kjo gjë nuk mund të ndodhë”,- tha ai.

Më tej, mjeku tha se ata që kanë në plan të bëjnë të dyja vaksinat, duhet të marrin si fillim atë të Covid-it, pasi është një virus më i rëndë se gripi.

Nuk është parë në asnjë studim që mund të shtyjmë vaksinat nga njëra-tjetra. Nuk ka as rënie të imunitetit dhe nuk ka një kohë protokollare. E vetmja gjë është që ne duhet të marrim parasysh që Covid-i është kryesor, është sëmundje më e rëndë. Dhe nëse dikush ka ndonjë hezitim, duhet të bëjë vaksinën e Covid-it të parën”,– u shpreh mjeku.

Sipas Alimehmetit, fokusi duhet të jetë tek moshat e mëdha, tek ata që kanë sëmundje të tjera dhe tek fëmijët, pasi këta të fundit preken shumë nga gripi.

Moshat e mëdha, pacientët me shumë sëmundje, për vaksinën e gripit kemi dhe fëmijët e vegjël. Edhe për fëmijët është shumë e këshillueshme vaksina e gripit. Por duhet të përqendrohemi tek moshat e mëdha dhe tek ata që kanë sëmundje të tjera”.