Lajme


Ngrihet rrjeti i blogerave shqiptarë për promovimin e turizmit në Shqipëri.

Postuar nga admin

22nd January 2018

Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi, shpalli ngritjen e rrjetit të blogerave shqiptarë për promovimin e turizmit në Shqipëri.

Nisma më e fundit që synon të krijojë një fushatë të gjerë promovuese në rrjetet sociale përmes figurave të spikatura të vendit tonë në botë, u lançua nga kreu i turizmit në eventin “Oda Shqiptare”, një mbrëmje që kishte bërë bashkë 200 figura të spikatura shqiptare në vend dhe në botë, në fushën e artit, kulturës, biznesit dhe politikës shqiptare e në rajon.

Ftesës së ministrit Klosi i ishin përgjigjur edhe ministrat e turizmit në rajonin tonë.

Kreu i turizmit shqiptar tha se në një botë gjithmonë e më shumë në lëvizje,në një kohë ku njerëzit kërkojnë eksperienca dhe duan të njohin vende dhe kultura, natyrë dhe përvojë të vecantë, është mundësia e artë, për të tërhequr vemendjen drejt Shqipërisë për të qenë vendi i kërkuar i vizitorëve dhe turistëve të huaj.

Duke bërë një panoramë historike të imazhit të Shqipërisë në shekuj, Ministri Klosi u kërkoi personaliteteve të pranishëm që të shpërndajnë përmes teknologjisë, jehonën e vlerave natyrore historike e kulturore të vendit tonë në mbarë botën.
“Një klikim i juaj, në profilet tuaja, i një fotoje, videoje apo share, nga bregdeti, Alpet, Tirana, Berati, Gjirokastra, natyra, gatimi apo histori Shqipërie, ka efektin e më shumë se dhjetra panaireve, takimeve zyrtare apo parave të shpenzuara për promovim. Kjo është një e mirë që ju mund t’ja bëni Shqipërisë, turizmit shqiptar. Ngritja e rrjetit të blogerave shqiptarë, nismën që lançojmë sot, që dikush mund ta quajë patriotike apo pragmatike, është vetëm në të mirë të vendit tuaj, vendit tonë të përbashkët. “- apeloi ministri Klosi duke ftuar të pranishmit, që pa humbur kohë edhe gjatë mbrëmjes të shpëndanin videon promovuese për Shqipërinë.

 

Duke vënë theksin tek problemet që ndikojnë në turizmin shqiptar, ministri Klosi tha se pavarësisht kësaj Shqipëria është vendi që shumica e të huajve rikthehen me dëshirë, për shkak të natyrës, historisë, kulinarisë, traditave e zakoneve, që e bëjnë unikale dhe kjo duhet të përdoret në të mirën e vendit tonë.

Sipas tij, nisma për të përbashkuar në misionin për promovimin e turizmit, të blogerave është më e thjeshtë, nëse kemi vullnetin, dëshirën dhe dashurinë për vendin.

Madje , tha ai, mund të nisim që tani, me shpërndarjen e një videoje të shkurtër nga Shqipëria nëpër profilet tuaja, të Shqipërisë së Alpeve, Adriatikut, Jonit, kalave e kështjellave, veshjeve karakteristike, jetës së natës, e vendeve të paeksploruara, të vendit të një populli mikpritës, që një reviste prestigjoze europiane, na përshkuante pak kohë më parë, si “njerëz të etur për të ndarë dashurinë e vendit të tyre dhe gjithmonë të gatshëm për të ardhur në ndihmë”.

“Le ta tregojmë këtë, që ndajmë dashurinë për vendin dhe që jemi njerëz që gjithmonë vijmë në ndihmë, duke i shërbyer Shqipërinë përmes profileve tuaja virtuale”, tha Klosi.