Lajme


Një nuse shqiptare shpallet Kampione Olimpike në Pekin

Postuar nga admin

11th February 2022

Lara Gut-Behrami merr më në fund medaljen e artë Olimpike në Lojërat Dimërore që po zhvillohen në Pekin. Skiatorja 30-vjeçare, e cila është bashkëshortja e mesfushorit me origjinë shqiptare të Zvicrës, Valon Behrami, ishte renditur dy herë e katërta në Lojërat Olimpike paraardhëse, ndërsa paraditen e sotme ia doli të ngjitet në majë të botës.

Super-kampionia në Super-G, Mikaela Shiffrin, e cila kishte fituar medaljen e artë në dy Lojërat Olimpike paraardhëse, nuk shkoi dot përtej vendit të 9, me Lara Gut-Behramin, që ia doli të vendosë një kohë prej 0.79 sekondash më të shpejtë.

“Unë sot thjesht bëra ski, asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Shpesh ne ngarkohemi shumë psikologjikisht dhe duam të bëjmë gjëra të veçanta në Lojërat Olimpike, por kjo na kthehet në pengesë për rezultatin. Sot e dija që me shumë mundësi do të ishte gara ime e fundit në Super-G dhe doja të lija gjurmë, ndaj jam e lumtur që gjithçka shkoi në mënyrë perfekte dhe mora këtë medalje”, u shpreh 30-vjeçarja pas garës.

Kjo ishte medalja e parë e artë e Zvicrës në Super-G, çka i bën helvetët vendin e parë që ia del të sigurojë medalje të artë në të 6 disiplinat alpine të skisë.

Lara Gut është lidhur me Valon Behramin që në mesin e 2018-ës, pak javë pas divorcit të tij nga martesa e parë dhe të dy po shijojnë të lumtur romancën prej thuajse 4 vitesh.