Lajme


“Ora e ligë” jehonë në Itali, prezantohet në Panirin e Librit në Torino

Postuar nga admin

15th October 2021

“Ora e ligë”, romani i Tom Kukës (pseudonimi që përdor gazetari  ynë Enkel Demi) po njeh mjaft sukses përtej kufijve.

I fundit vjen nga Italia, ku të shtunën në orën 18:45 ai do të prezantojë romanin, fitues të “Çmimit Kult 2020”, në Sallën Ndërkombëtare të Panairit të Librit në Torino. Në dialog me të do të jenë edhe Anna Lattanzi dhe Farian Sabahi.

Gazeta italiane “Il Manifesto” ka publikuar këtë lajm, ku ndër të tjera vlerëson subjektin dhe trajtimin që autori i bën ngjarjes, e cila vendoset dy shekuj më parë, në një epokë ku sundon ligji i hakmarrjes dhe i armëve, e kur Shqipëria nuk është shtet, por ndodhet akoma nën sundimin e Perandorisë Osmane.

Mediat italiane janë shprehur se pena e këtij autori është e bukur, e cila në linearitetin e saj elegant i jep lexuesit një libër plot kuptim, ushqim të shkëlqyeshëm për të menduar dhe lexueshmëri të shkëlqyeshme. Enkel Demi ka publikuar dhe libra të tjerë si “Hide mbi kalldrëm”, “Gurët e Vetmisë” dhe “Flama”, novelë e cila së fundmi është vlerësuar me Çmimin Europian për Letërsinë.