Lajme


Panairi i Librit në Lajpcig, letërsia urë lidhëse përtej kufijve !

Postuar nga admin

21st March 2018

Letërsia shqipe kishte stendën e saj në Panairin e Librit që çdo vit mbahet në Lajpcig në muajin mars.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ishte e pranishme në stendën shqiptare në këtë Panair, me praninë edhe të Michael Roth, Ministër Shteti për Europën, shkrimtarit Christoph Ransmayr, si dhe ministrave të kulturës të disa vendeve të Ballkanit dhe përfaqësuesve më të rëndësishëm të rrjetit TRADUKI.

I ideuar si një vend promovimi dhe bashkëbisedimi mbi krijimtarinë shqiptare bashkëkohore të fokusuar në trajtimin e temës së kujtesës, përshtatjen me ndryshimet rrënjësore historike, emigrimin, bashkëjetesën dhe integrimin, ministrja Kumbaro e nisi fjalë e saj duke iu referuar një pjese leximi nga autori Gazmend Kapllani, një shkrimtar shqiptar që përmes krijimtarisë së tij zbulon se si totalitarizmi, emigracioni, kufijtë dhe historia ballkanike kanë formuar jetën private dhe narracionin e tij personal.

“Letërsia më çoi tek liria dhe jo e kundërta”, është shprehja e shkrimtarit tonë Ismail Kadare. Letërsia është e vetmja hapësirë ku njerëzit e kulturave dhe kombësive të ndryshme i bashkon bashkë thelbi njerëzor, thelbi që na bën të lirë, është vendi i lirisë së brendshme të secilit prej nesh, pavarësisht vendit ku jemi rritur: të madh a të vogël, të hapur apo të mbyllur, gjuhës që flasim: të lashtë apo të re, shumë apo pak të lëvruar, kulturës së cilës i përkasim, dhënëse apo pritëse”, tha ministrja gjatë bashkëbisedimit me autorë të tjerë.

Ajo vuri në dukje se letërsia nuk bazohet në numra, në shifra, në fakte reale, po tek e bukura në ndjenja, në përjetime dhe në mendimet e individit, i jep vlerë të veçantës, unikes, së papërsëritshmes. Ndaj, sipas saj, nuk mund të kishte urë më të mirë lidhëse, mes nesh se letërsia.

“TRADUKI ia ka dalë ta krijojë këtë hapësirë lirie mes vendeve, këtë hapësirë vlerash njerëzore ku secili respektohet në veçantinë e tij, në thelbin e individualitetit që është gjuha.“Tradukistani”, kjo tokë e përkthimit, ka arritur të vendosë rregull në kullën e Babelit, duke u dhënë rëndësinë e duhur përkthimit dhe përkthyesve. I jemi mirënjohës TRADUKI-t për të gjithë punën që ka bërë në këto 10 vite për t’a pasuruar këtë bibliotekë, për të shtuar familjeN e madhe me gjuhë të reja, për të dhënë shembullin e mënyrës se si mund të bashkëpunohet duke respektuar gjithësecilin”, është shprehur Kumbaro.

Ky panair përbën një mundësi të artë për prezantimit të autorëve shqiptarë përmes leximeve, intervistave të hapura për publikun, krijimin e kontakteve me botues që i hapin rrugën përkthimeve në gjuhë të tjera. Panairi i Lajpcigut është ngjarja e dytë e madhe në botën gjermanofone pas Panairit të Frankfurtit, që ka si karakteristikë leximin.