Lajme


Panari i Librit, Petrit Ymeri: Tema e këtij edicioni është leximi

Postuar nga admin

13th November 2018

Paraditen e sotme, në Pallatin e Kongreseve është mbajtur konferenca për shtyp e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, në prag të çeljes së edicionit të 21 të Panairit të Librit. Të njëjtat Shtëpi Botuese, duke përfshirë edhe disa të reja nga Maqedonia e Mali i Zi, institucione të angazhuara me botimin e librit, Organizata “Jofitimprurëse” që merren me librin, Ambasada të huaja, libraritë etj., do të jenë pjesë e edicionit të 21 të Panairit të Librit. Kati i parë dhe i dytë i Pallatit të Kongreseve do të jetë i mbushur me ekspozues, si zakonisht. Gjatë ditëve të Panairit (14-18 nëntor) do të ketë shumë aktivitete të secilës Shtëpi Botuese, por edhe të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, mbi 60 aktivitete, në stendat e shtëpive botuese, takime të autorëve, përkthyesve, botuesve me lexuesit. Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë njoftoi se tema e këtij edicioni të 21 të Panairit të Librit është leximi.

“Ndoshta edhe të shtyrë nga diskutimet e shumta që janë bërë pas anketimeve të INSTAT dhe Shoqatës së Botuesve Shqiptarë për rënien drastike të leximit. Ju e dini konkluzionin e Instat se rreth 1 milion shqiptarë nuk kanë lexuar asnjë libër në kuadër të një viti. Edhe për këtë, por edhe për shumë arsye të tjera, sepse ky rezultat i anketimit të INSTAT ka shkuar pak a shumë në të njejtën vijë edhe me rezultatet e anketimeve që kemi bërë ne, leximi ka rënë dhe arsyet janë të shumta, sociale, ekonomike, psikologjike apo arsimore. Prandaj kemi zgjedhur këtë temë dhe në valën e kësaj teme ka edhe shumë aktivitete që lidhen me leximin. Një prej tyre, më i rëndësishmi, organizohet nga Shoqata e Botuesve, për leximin, prirjet e tij, aktivitet i cili do të zhvillohet më datë 15 nëntor, në Sallën Ovale të Pallatit të Kongreseve, ku do të ketë studiues, botues, autorë, përkthyes, pedagogë, mësues etj., për të diskutuar problemet e leximit dhe si mund ta përmirësojmë këtë gjendje. Kjo nuk është një situatë që ka ardhur as për disa muaj, as për disa vjet. Kjo është një situatë e krijuar prej më shumë se dy dekada, gati pothuajse tri dekada. Rënia e interesimit të shoqërisë, të institucioneve për leximin, dhe vimë në këtë gjendje”, tha Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Z. Petrit Ymeri.