Showbizz


Peticioni mbledh më shume se 18,000 firma për të shpallur luginën e Vjosës Park Kombëtar

Postuar nga admin

4th November 2021

Më shumë së 18,000 firma janë mbledhur në pak ditë për shpalljen e luginës së Vjosës Park Kombëtar. Një mbështetje e madhe për fushatën “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” e cila ka bërë bashkë publikun në kërkesën drejtuar qeverisë shqiptare për të shpallur sa më parë lumin Vjosa dhe degët e saj Park Kombëtar.

Gjithmonë e më shumë shqiptarë po ndërgjegjësohen mbi kuptimin e Statusit Park Kombëtar dhe po qartësohet perceptimi i gabuar se lugina e Vjosës është e mbrojtur. Në vitin 2020, Vjosa u propozua për t’u shpallur Park Natyror. Por, kjo nuk mjafton për ta mbrojtur atë përfundimisht. Ky status krijon mundësi që kompani të ndryshme të fillojnë kërkimet për naftë pranë Vjosës ose të ndërtojnë hidrocentrale në degët e saj, prandaj aktivistët po kërkojnë shpalljen e Vjosës Park Kombëtar.

Statusi Park Kombëtar është një standard ndërkombëtar për mbrojtjen e natyrës dhe i vetmi status që mund t’i ndalojë bizneset dhe qeveritë e ardhshme të dëmtojnë lumin dhe degët e tij, të cilat fatmirësisht ende rrjedhin të lira.

Peticioni online mbetet vendimtar për t’i përcjellë qeverisë mesazhin e përbashkët se e ardhmja e Vjosës është një çështje që na takon të gjithëve, se jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e saj, prandaj kërkojmë nivelin më të lartë të mbrojtjes për të.