Lajme


Projekt pilot për ringritjen e Kinemave në rrethe. Dixhitalizim dhe filmat e rinj shqiptarë për publikun.

Postuar nga admin

30th March 2018

Projekti pilot i QKK-së(Qendra Kombëtare e Kinematografisë)  për hapjen e sallave të kinemave në rrethe u aprovua ditën e sotme.

Ky projekt u aprovua falë mbështetjes së Ministres së Kulturës Mirela Kumbaro e angazhimit maksimal të Kryetarit të Bashkisë së Vlorës Dritan Leli, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të qytetit.

Gjithashtu kjo marrëveshja me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë konsiston dhe për dixhitalizimin e sallës së kinemasë, investim i cili do të vlejë njëkohësisht edhe për kinemanë verore të qytetit përgjatë Lungomares.

Si fillim do të kemi dy kinema, një në Gjirokastër dhe një në Vlorë dhe më pas edhe ne qytetet e tjera që do ti bashkohen kësaj iniciative të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.

Pajisja me mjete të reja dixhitale do të jetë hapi i parë ndërsa krijimi i një programi të pasur me filma shqiptarë do ti japin mundesinë publikut të këtyre qyteteve të njihen me realizimet më të mira shqiptare të viteve të fundit.

Gjithashtu disa ditë më parë Bashkia e Gjirokastrës aprovoi në këshillin bashkiak një marrëveshje të ngjashme me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë për dixhitalizimin e sallës së kinemasë së këtij qyteti.

Ky projekt pilot për ringritjen e Kinemave në Gjirokastër dhe Vlorë vjen falë projektit CIRCE, mbështetur nga Programi IPA i Bashkimit Evropian me 4 partnerë Mesdhetarë. Në Shqipëri projekti drejtohet nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë që prej disa vitesh ka punuar në hartimin e këtij projekti i cili ka si qëllim pajisjen me aparatura të reja dixhitale projeksioni dhe sistemin audio, sallat ekzistuese në qytetet kryesore të vendit.

Gjatë këtyre 3 viteve të fundit Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka mbështetur vazhdimisht festivalet e filmit në qytetin e Shkodrës, Pogradecit, Sarandës dhe Gjirokastrës me qellim për të krijuar sensibilizimin e duhur të pushtetit dhe audiences lokale ndaj hapjes së kinemave që ekzistojnë aktualisht në këto qytete.
Qendrën Kombëtare të Kinematografisë

Qendra Kombëtare e Kinematografisë festoi vjet 20 vjetorin e saj të krijimit. Gjatë këtyre viteve QKK ka financuar rreth 300 filma të gjatë, të shkurtër, dokumentarë dhe të animuar. Vetëm gjate 4 viteve të fundit janë financuar mbi 100 filma pra rreth 1/3 e filmave të krijuar që nga krijimi i këtij institucioni.

Vitin e kaluar, 25 filma te rinj shqiptarë u prezantuan përpara publikut të kryeqytetit por nuk kanë patur mundësi të prezantohen përpara publikut të qyteteve të tjera të vendit për mungesën e teknikës minimale në sallat respektive.
Pikërisht ndryshimit tê kësaj situate i përgjigjet kjo iniciativë që ka ndërmarrë QKK e cila ka gjetur asistencen e partnereve tane te Apuglia Film Commission dhe njëkohësisht mbështetjen nga fondet europiane nëpërmjet projektit Circe.