Lajme


Publikohet dokumenti i rrallë për Asdrenin

Postuar nga admin

23rd March 2018

Poeti shqiptar Aleksandër Stavre Drenova, i njohur me pseudonimin Asdreni, në shkurt të vitit 1938 vizitoi Shqipërinë me ftesë të autoriteteve të kohës, ku një nga ndalesat e tij ishte qyteti i Shkodrës.

Me rastin e ardhjes së kolosit të letrave shqipe u organizuan veprimtari të ndryshme kulturore.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjellë në vëmendje një prej pllakatave, e shkruar në dialektin geg, që lajmëronte qytetarët e Shkodrës mbi veprimtarinë që do të organizohej.

Në pllakatë shkruhet “Për nder të atdhetarit veteran, Aleksandër S.Drenova, poet i Rilindjes së Kombit , i njohhur me pseudonimin Asdren, shoqëria “Rozafat”më dt. 12 shkurt në orën 20″30 në kinema “TH.Rozafat”duke interpretuar dëshirën e gjithë intelektualëve shkodranë jep një koncert , në të cilin përveç orkestrës së shoqërisë, pranuan mirësisht të marrin pjesë edhe artistët e famshëm shqiptarë, zonja Tefta Tashko (soprane dhe Lola Aleksi (pianiste) . Poeti kombëtar Ai Gjergj Fishta do ta hapë këtë shfaqje artistike me një ligjëratë simpatie për Mikun e shquar që na urdhëroi në Shkodër”.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave bën të ditur se së shpejti, më shumë për kulturën e qytetit të Shkodrës do të prezantohet në një ekspozitë që do të çelet nga ky institucion.

Aleksandër Stavri Drenova, i njohur me emrin letrar, ASDRENI është emër personalitet shumë i njohur i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, jo vetëm si atdhetar i zjarrtë i çlirimit dhe bashkimit të Shqipërisë por edhe si poet romantik e realist.

Asdreni është autor i Himnit të flamurit, që është edhe Himn Kombëtar, zyrtar për të gjithë shqiptarët. Veprat letrare të Asdrenit janë: “Rreze dielli”, “Himni i Flamurit”, “Ëndrra e lotë”, “Zëri i kryengritësve”, “Krerëve tradhëtorë”, “Shpërblimi”, “Shqipëria më 1914, “Burri i dheut”, “Himni i festës”, “Fisnikët e Shqipërisë”, “Republika shqiptare”, “Trashëgimi”, “Kambana e Krujës”, “Poezi të Zgjedhura”./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.